Lidhje

SHBA, thirrje për rishqyrtimin e vendimit të presidentit maqedonas

  • Isak Ramadani

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily, i bëri thirrje të enjten presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov që të rishqyrtojë vendimin për të mos i dhënë mandatin për formimin e qeverisë, udhëheqësit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev.

Ambasadori Baily tha të enjten se "Shtetet e Bashkuara janë të dëshpëruara me vendimin e presidentit Ivanov për të mos ia dhënë mandatin shumicës parlamentare për ta formuar qeverinë. Besojmë se kjo nuk përputhet me parimet themelore demokratike dhe sundimin e ligjit që paraqesin vlera themelore të NATO-s. Si partner strategjik të Maqedonisë, si miq dhe me respekt të plotë për sovranitetin e popullit të Maqedonisë inkurajojmë zotin Ivanov që të rishqyrtojë vendimin e tij", thuhet në deklaratën e ambasadorit Baily.

Ai u bëri thirrje fqinjëve të Maqedonisë që, siç thuhet, të përmbahen dhe të jenë konstruktivë në këtë kohë të ndjeshmërisë së shtuar politike në vend.

Më herët, Komisionari për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Johannes Hahn shkruante në rrjetet sociale se “në një demokraci duhet të njihet shumica parlamentare, qoftë edhe nëse kjo nuk i pëlqen dikujt”.

Në Shkup, pasdite arrin përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, e cila nuk kishte planifikuar se do të haste në një krizë edhe më të thelluar atje. Ajo takohet me presidentin maqedonas dhe me drejtuesit e partive të përfaqësuara në Parlament.

Nga ana tjetër, mbështetësit e VMRO-së të cilët po mbajnë protesta mbrëmjeve në Shkup dhe nëpër disa qytete të tjera të Maqedonisë, po shfaqen me retorikë ofenduese, duke e quajtur kryetarin e Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev “tradhtar të kombit dhe interesave maqedonase” për shkak të gatishmërisë së tij për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni. Disa nga themeluesit e partisë djathtiste janë shprehur se “do të luftojnë deri në vdekje për mbrojtjen e atdheut”.

Vendimi i djeshëm i presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov, sipas analistëve, po e zhytë vendin edhe më thellë drejt krizës.

Nuk është hera e parë që presidenti Maqedonas nxitë trynsi për ndryhsimin e vendimeve të tij. Vitin e kaluar ai fali mbi pesëdhjetë politikanë e zyrtarë qeveritarë të dyshuar dhe të akuzuar për veprimtari kriminale. Më pas u detyrua ta tërheqë vendimin për falje pas kritikash dhe trysnish të shumta të opinionit publik në vend dhe kërkesave nga komuniteti ndërkombëtar.

Ekspertët ligjorë thonë se me vendimin e fundit presidenti ka shkelur rëndë ligjet dhe kushtetutën e Maqedonisë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG