Lidhje

Militarizimi i policisë në SHBA


Ligjvënësit amerikanë në Uashington po shqyrtojnë programe të qeverisë federale që ofrojnë miliarda dollarë për pajisjet ushtarake shtesë për departamentet policore civile. Aksioni vjen pas thirrjeve në rritje për t’i dhënë fund të ashtuquajturit "militarizim" të forcave të policisë lokale. Ai pason përgjigjen e policisë për të shuar ditët e trazirave në Ferguson, të shtetit Mizuri, pas vrasjes muajin e kaluar të një të riu të paarmatosur me ngjyrë nga një oficer policie i bardhë.

Policia në Ferguson, të Mizurit, veshur me uniforma ushtarake me armë luftarake dhe automjete të blinduara luftarake hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstratat pas vrasjes së Michael Brown.

Reagimi i policisë gjatë trazirave ngjalli kritika mbi militarizimin e departamenteve policore civile dhe përdorimin e pajisjeve luftarake për të shtypur protestat. Gjatë një seance të Komisionit të Sigurimit Kombëtar në Senat, senatorja e Mizurit Claire McCaskill tha se përdorimi i pajisjeve luftarake në Ferguson ishte i panevojshëm.

"Policët e veshur me rroba ushtarake nuk shihen si partnerë në asnjë komunitet. Automjetet e blinduara ushtarake, edhe nëse përdoret me maturi janë frikësuese".

Zonja McCaskill dhe ligjvënës të tjerë janë në shqyrtim të disa programe të qeverisë federale që i japin armë dhe pajisje shtesë ushtarake forcave të policisë lokale. Që nga viti 1997, Departamenti i Mbrojtjes ka dhuruar pajisje me vlerë pesë miliardë dollarë për t’u përdorur për të luftuar krimin dhe terrorizmin dhe për t'u përgjigjur ndaj fatkeqësive.

Senatori nga Kentaki Rand Paul e kundërshton këtë.

"Shumë nga forcat e policisë në të vërtetë mendojnë se këto pajisje do të jenë të mira për shtypjen e trazirave në një qytet të madh, në një zonë urbane dhe ju, Departamenti i Mbrojtjes), i keni udhëzuar se ato nuk janë për këtë qëllim. Furnizimi i gjithë këtyre pajisjeve falas, nuk duhet të jetë në listën e askujt si pajisje të autorizuara."

Zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes thonë se pajisjet ushtarake dhe furnizimet janë të dobishme për të agjencitë e zbatimit të ligjit. Por Alan Estevez, nënsekretar i Mbrojtjes, thotë se Pentagoni nuk mund të monitorojë se si përdoren pajisjet.

"Unë mendoj se ne duhet të shqyrtojmë të gjitha pajisjet që japim, senator. Ne si Departament i Mbrojtjes nuk shtyjmë askënd të përdorë këto pajisje nga forcat policore. Shtetet vendosin vetë."

Fotoreporteri i gazetes Wiley Price në Seint Luis mbuloi ngjarjet në Ferguson. Ai thotë se njerëzit u habitën kur panë policinë me makina të blinduara duke drejtuar armët mbi ta.

"Fotografët e tjerë po pyesnin njëri tjetrin për atë që po ndodhte dhe kjo vazhdoi tre katër ditë. Policia irritoi njerëzit që thjesht po rrinin dhe po hidhnin parrulla."

Profesori i drejtësisë në Universitetin Western Kentucky, Jim Bueermann u tha ligjvënësve se ai mbështet dhënien e pajisjeve ushtarake policisë – por duhet më shumë trajnim.

"Nëse ka një vijë ndarëse që del nga trazirat në Ferguson është se ne filluam këtë diskutim që duhet të kishte ndodhur në vitin 1997 dhe jo në 2014-ën – pra si duhet t’I përdorim këto pajisje në mënyrën e duhur që nuk dëmton marrëdhënien e policisë me komunitetin."

Ligjvënësit thonë se do të vazhdojnë të rishikojnë programet e qeverisë që japin pajisje ushtarake për departamentet e policisë.

Ndërkohë administrate Obama po kryen hetimin e saj për këto programe – me shpresën për të mënjanuar atë lloj përgjigje që nxiti zemërim dhe debat.

XS
SM
MD
LG