Lidhje

Shkurtimet në ushtrinë amerikane


Ushtria amerikane do të shkurtojë rreth 40 mijë trupa në tre vitet e ardhshme. Shkurtimet po vijnë në mesin e një krize globale për të cilën zyrtarët e mbrojtjes shqetësohen se nuk do të jetë e menaxhueshme nëse bëhen shkurtime të mëtejshme.

Shkurtimet buxhetore po ndikojnë thellë edhe në ushtrinë amerikane, me rreth 40 mijë trupa që do të shkurtohen deri në vitin 2018.

Gjeneral Brigade Randy George u tha gazetarëve se vite me radhë shkurtimesh po e zvogëlojnë ndjeshëm ushtrinë.

“Së bashku me këtë shkurtim, bëhet një total prej 120 mijë ushtarësh të shkurtuar nga ushtria e rregullt, pra 21% më pak krahasuar me vitin 2012.”

Ushtria ka llogaritur se i duhet të reduktohet në 450 mijë ushtarë, nga 490 mijë që janë aktualisht, për të kursyer 7.1 miliardë dollarë në katër vitet e ardhshme.

Shkurtimet do të ndodhin në baza ushtarake në 18 shtete amerikane, dhe madje do të prekin edhe trupat amerikane në Korenë e Jugut, në Gjermani dhe në Itali.

Koloneli Steve Warren, zëdhënës i Pentagonit, i tha Zërit të Amerikës se shkurtimet nuk janë diçka e re.

“Pas Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë, dhe pas çdo lufte ku jemi përfshirë, gjithnjë ka patur një tërheqje në vijim.”

Por, nëse Kongresi nuk frenon shkurtimet e buxhetit të njohura si sekuestrim, situata mund të përkeqësohet.

“Nëse nuk ndryshohen këto shkurtime të parashikuara, ushtrisë do t’i duhet të shkurtojë edhe 30 mijë ushtarë të tjerë deri në vitin 2019. Forcat që do të mbeten nuk do të jenë në gjendje të mbështesin operacionet aktuale si dhe t’u përgjigjen kërkesave për angazhime të reja nëpër botë.”

Shkurtimet në ushtri janë pjesë e përpjekjeve të Pentagonit për të përballuar rreth 1 trilionë dollarë shkurtime të parashikuara në buxhet për dekadën e ardhshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG