Lidhje

100 vjetori i Shërbimit Kombëtar të Parqeve

  • Julie Taboh

Çdo vit, miliona amerikanë dhe të tjerë vizitojnë parqet kombëtare të Amerikës për të shijuar disa nga pamjet më spektakolare që ofron natyra, në brigje të oqeaneve, në maja malesh, apo nën hijen e pemëve gjigande ku gjallojnë krijesa unike. Këto vit Shërbimi Kombëtar i Parqeve feston 100 vjetorin e krijimit. Në këtë përvjetor drejtori i Shërbimit Jonathan Jarvis ofron mendimet e tij pas një karriere 40 vjeçare në këtë agjenci.

Pejsazhe madhështore, pyje të lashta dhe një florë e faunë mahnitëse... këto janë disa nga thesaret që gjejnë vizitorët në parqet kombëtare të Amerikës.

Drejtori i Shërbimit të Parqeve Jonathan Jarvis e ndjen veten me fat që ka këtë detyrë:

“Gjatë 100 vjetëve të ekzistencës së tij, Shërbimi Kombëtar i Parqeve është ngarkuar me detyrën për të menaxhuar pasuritë më të vlefshme të Amerikës; vendet më të spikatura që përfaqësojnë trashëgiminë tonë natyrore dhe kulturore. E kam pasur ëndrrën më të mëdha të jetës të punoj këtu dhe të jem në drejtim të kësaj organizate”.

Zoti Jarvis ka punuar me Shërbimin Kombëtar të Parqeve për 40 vjet dhe që nga viti 2009 ka qenë drejtor i agjencisë.

Ai është përgjegjës për 412 njësi, që nga parqe masive si Kanioni i Madh e Yellowstone, e deri tek monumente historike dhe fushëbeteja të Luftës Civile:

“U them njerëzve se Shërbimi Kombëtar i Parqeve është e vetmja agjenci federale që ka për detyrë të garantojë se njerëzit po argëtohen. Parqet ofrojnë shumë mënyra argëtimi për publikun, si për amerikanët, ashtu edhe për vizitorë nga e gjithë bota. Por duam që njerëzit edhe të mësojnë diçka të re, të largohen me një përjetim të ri, me njohuri për natyrën, gjeologjinë, ndryshimet klimatike apo historinë”.

Njohuritë historike sjellin momente të errëta nga e kaluara e Amerikës:

“Për shembull Qendra Historike Manzanar në Kaliforni tregon historinë e internimit dhe izolimit të japonezo-amerikanëve gjatë Luftës II Botërore, me urdhër ekzekutiv nga Presidenti Franklin Roosevelt. Mbi 100 mijë japonezo-amerikanë u nxorën nga shtëpitë nën bajonetat e armëve dhe u futën në kampe izolimi ku u mbajtën për vite gjatë luftës, thjesht për shkak të prejardhjes. Shërbimi i parqeve e ka për detyrë të tregojë histori të tilla”:

Parqet kombëtare janë zona të mbrojtura, por kjo s’do të thotë se janë të paprekshme nga ndryshimet klimatike:

“Për shembull, akullnajat në Parkun Kombëtar Akullnajor pritet të zhduken brenda 20-25 vjetësh”.

“Zjarret janë aktivë në parqet kombëtare për një periudhë më të gjatë se sa më parë. Disa specie shtegtare nuk kanë korridore të mbrojtura për të lëvizur nga një park në tjetrin nëpër territorin amerikan,” thotë zoti Jarvis.

Por Shërbimi i Parqeve ka mbështetje të fortë për punën e tij, përfshirë nga Presidenti Obama, i cili ishte kohët e fundit në parkun Yosemite:

“Mjafton të shohësh këtë panoramë. Nuk kapet me celular, nuk e përcjell dot ekrani i televizorit, as piktura e vajit. Duhet të vish këtu e ta thithësh brenda vetes”:

Tani që Shërbimi Kombëtar i Parqeve fillon të numërojë shekullin e dytë të ekzistencës, zoti Jarvis shpreson se do të jetë përjetë një pasuri për brezat e ardhshme:

“Shpresoj që Shërbimi Kombëtar i Parqeve të fuqizohet edhe më shumë në shekullin e dytë të ekzistencës, shpresoj të funksionojë mbi një bazë të fortë financiare. Por ajo që ka edhe më shumë rëndësi është mbështetja e publikut. Është e nevojshme që publiku të vazhdojë ta shohë si një shërbim të domosdoshëm”.

XS
SM
MD
LG