Lidhje

Thaçi: Ushtria e Kosovës nuk mund të varet nga Serbia

  • Leonat Shehu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën në mbrëmje se ndryshimi i misionit të Forcave të Sigurisë nuk është i njëanshëm dhe është në pajtueshmëri me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ai i bëri këto komente gjatë një konference të jashtëzakonshme, pas shqetësimeve të ngritura nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja për mënyrën e ndryshimit të misionit të Forcave të Sigurisë.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja bënë thirrje që ky proces të shkojë nëpërmjet amendamentimit të kushtetutës dhe me marrëveshje përfaqësuesit serb në Kosovë. Ata thanë se “miratimi i ligjit të propozuar tani do të detyronte rivlerësimin e bashkëpunimit dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmën afatgjate për këto forca".

Por, presidenti Hashim Thaçi tha se ka kërkuar nga miqtë ndërkombëtarë mirëkuptim dhe se sipas tij, askush nuk mund ta kontestojë këtë proces, përfshirë siç tha edhe shtetet mike, NATO-n dhe anëtarët e saj. Ai tha se ky akt i domosdoshëm kushtetues dhe ligjor është kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtojë vetëm Serbia, ndërsa Forca Sigurisë me asgjë nuk e dëmton paqen e qëndrueshmërinë në rajon.

"Aktualisht, i vetmi kërcënim për paqen në rajonin tonë është rritja e ndikimit të rolit të Rusisë në rajon dhe e numrit të aeroplanëve MIG në hapësirën ajrore të Serbisë. Natyrisht, këtij kërcënimi duhet t’i shtojmë edhe kërcënimet që vijnë nga elementët terroristë, një fushë tjetër kjo ku Kosova mbetet kampion në rajon për luftën e pa kompromis kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Prandaj, unë pres nga NATO që të jetë e vetëdijshme për këto rreziqe konkrete dhe të mos shqetësohet për avancimin e rolit të FSK-së, duke ditur që FSK-ja është ngritur dhe trajnuar pikërisht nga NATO dhe shtetet anëtare të NATO-s”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se gjatë një bisede telefonike të zhvilluar me Sekretarin e NATO-s Jens Stoltenberg, ky e fundit veprimin e autoriteteve të Kosovës e ka quajtur të njëanshme. Ai tha se kjo nuk qëndron pasi që, sipas tij, autoritetet tash e tre vjet kanë bërë përpjekje që këtë çështje ta bashkërendojnë me listën serbe, por pa sukses.

“Në rast se Sekretari i NATO-s e konsideron iniciativën tonë të njëanshme për shkak se Serbia nuk pajtohet me veprimet tona, atëherë unë e konsideroj këtë krejtësisht të papranueshme, sepse fati i Kosovës dhe i ushtrisë sonë nuk guxon të mbetet peng i vullnetit dhe disponimit të Serbisë në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim”, tha ai.

Por, shndërrimi i mandatit dhe detyrave të Forcave të Sigurisë ka gjetur mbështetje te shumica e partive politike në Kosovë, të cilat kanë shprehur gatishmërinë për të votuar këto ndryshime.

Ndërsa Beogradi zyrtarë vazhdon ta kundërshtojë këtë nismë duke e cilësuar të rrezikshme për rajonin. Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se gjatë një bisede telefonike me sekretarin e NATO-s Jens Stoltenberg, ky I fundit i ka thënë se nuk e përkrahin mënyrën se si institucionet në Kosovë po dëshirojnë të formojnë ushtrinë.

Çështja e ndryshimit të ligjit për misionin dhe detyrat e Forcës së Sigurisë, ka bërë që për herë të parë autoritetet vendase të kundërshtojnë publikisht këshillat e miqve ndërkombëtar, posaçërisht të Shteteve të Bashkuara, të cilat vazhdimisht kanë këshilluar Kosovën për hapat që duhet ndërmarrë.

Forcat e Sigurisë së Kosovës që nga formimi i tyre kanë pasur mbështetjen e forcave të NATO-s në trajnimin e tyre dhe zgjerimin e kapaciteteve.

Vëzhguesit e pavarur thonë se veprimet e një pjese të institucioneve për të shkuar përpara për ndryshimet në Forcën e Sigurisë pa mbështetjen e miqve ndërkombëtarë, rrezikon që Kosova të humb edhe përkrahjen që ka pasur, dhe rrezikon sigurinë e vendit e cila sipas tyre varet nga mbikëqyrja e forcave ndërkombëtare.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG