Lidhje

Shqyrtohet përdorimi i biokarbureve në industrine amerikane të avionëve

  • Steve Baragona

Shqyrtohet përdorimi i biokarbureve në industrine amerikane të avionëve

Shqyrtohet përdorimi i biokarbureve në industrine amerikane të avionëve

Shqetësimet për ndryshimet e klimës, çmimet e paqëndrueshme të naftës dhe derdhja masive në Gjirin e Meksikës po i intensifikojnë thirrjet për t’i dhënë fund varësisë së Amerikës tek nafta. Në kërkim të alternativave, Marina amerikane dhe industria e aviacionit për pasagjerët po shqyrtojnë mundësinë e zëvendësimit të naftës me vaj vegjetal si burim për karburantin e avionëve.

Një avion luftarak F-18 nis fluturimin nga pista e provave e marinës amerikane në lumin Patuxent në Merilend. Ky avion supersonik është i furnizuar me një karburant, 50 për qind me bazë nafte dhe 50 për qind nga një farë që quhet Kamelina.

Rick Kamin drejton programin e Marinës për provat me karburant alternativ. Ai nuk ka asgjë kundër naftës.

“Nafta shërben shumë mirë. Të gjitha sistemet tona janë zhvilluar në mënyrë të tillë që të funksionojnë me naftë. Problemi është se duhet ta importojmë, çmimi është shumë i luhatshëm dhe na duhet të shpenzojmë shumë nga paratë tona për ta blerë naftën nga vende të tjera”.

Zoti Kamin thotë se një F-18 nuk do t’ia dijë nëse përdor naftë të importuar, apo kamelinë që prodhohet në vend.

“Në çdo provë që kemi bërë me sistemet tona, karburanti tjetër nuk ka asgjë më pak se nafta dhe ndonjëherë ka funksionuar edhe më mirë”.

Kjo nuk të befason kur sheh strukturën kimike të vajit të kamelinës, thotë shefi për karburantet e ripërtëritshme Jim Rekoske në kompaninë e prodhimit të pajisjeve Honeywell UOP.

“Kjo strukturë nuk ndryshon shumë nga nafta ose karburanti i avionit”.

Dhe karburanti i avionit luftarak nuk ndryshon shumë nga ai i avionit të pasagjerëve. Japan Airlines ishte një nga firmat ajrore që bëri prova të suksesshme fluturimi me karburante alternative vitin e kaluar.

Rritjet e çmimeve të naftës kohët e fundit janë një faktor i rëndësishëm që motivon interesin tek karburantet alternative. Por edhe shqetësimet për mjedisin janë një faktor. Djegia e karburantit çliron dioksid karboni, i cili thithet nga bimët.

Interesi në rritje për karburantet alternative krijon shanse për biznes.

“Ne e studjuam këtë në radhë të parë si mundësi për ta zgjeruar biznesin në diçka që është shumë e rëndësishme për biznesin dhe së dyti për ta zgjeruar në një mënyrë që të ketë ndikim”.

Në dekadën e ardhshme, synimi i zotit Rekoske është që deri një e treta e të gjitha karburanteve për transportin të jetë karburant alternativ, përfshirë vajin e kamelinës.

Por Xhim Bartis i Korporatës Rand nuk është i bindur se rritja e kamelinës për të zëvendësuar naftën është ide e mirë.

“Për të prodhuar vetëm 1 për qind të karburantit që përdoret në Shtetet e Bashkuara, do të duhej 10 për qind e të gjithë tokës bujqësore në Shtetet e Bashkuara. Është një sasi jashtëzakonisht e madhe”.

Zhvendosja e gjithë këtyre të mbjellave do të ndikonte në prodhimin e bimëve për ushqim. Dhe nëse kamelina shkakton zhvendosjen e grurit për shembull...

“Do të thotë që diku tjetër në botë, dikush duhet të spastrojë një pyll ose lëndinë me bar, që të rritet gruri”.

Shpyllëzimi çliron sasi të mëdha gazesh që shkaktojnë efektin serrë dhe mund të eliminojë të mirat e zëvendësimit të naftës.

Tani për tani këto pyetje nuk kanë ndonjë vlerë sepse shumë pak fermerë rrisin kamelinë. Po ashtu mungon edhe një element tjetër, thotë Rick Kamen i Marinës.

“Nuk ka komplekse prodhimi masiv për këtë lloj karburanti. Kështu që duhet bërë një investim tregëtar”.

Zoti Kamen thotë se investimi tregëtar do të ulte çmimin. Marina pagoi rreth 15 dollarë për litër që të bënte provë me karburantin e kamelinës, krahasuar me rreth një dollar për litër për karburantin me naftë.

Kamelina është vetëm një nga kandidatët për karburantet alternative të së ardhmes. Të tjerat radhiten që nga dhjami i kafshëve e deri tek algat. Xhim Rekoske i Honeywell UOP thotë se ato do të na nevojiten.

“Të gjitha këto alternative në vetvete, sigurojnë vetëm një pjesë të vogël, por të kombinuara ato mund të fillojnë të krijojnë një kalim të rëndësishëm”.

Një kalim që mund të ndihmojë në ndryshimin e karburantit të aeroplanëve të marinës si dhe të ekonomisë amerikanë në përgjithësi.

XS
SM
MD
LG