Lidhje

Guvernatori i Nju Jorkut: shpërthimi, akt terrorist


Një shpërthim i fuqishëm tronditi mbrëmë lagjen Chelsea të Manhattanit në Nju Jork, duke shkaktuar 29 të plagosur.

Autoritetet e qytetit e cilësuan shpërthimin “një akt terrorist", por deri tani nuk dihet të ketë ndonjë implikim të terrorizmit ndërkombëtar. Ata i bënë thirrje publikut të njoftojnë organet e rendit, në se mësojnë ndonjë informacion lidhur me shpërthimin.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill DeBlasio deklaroi se shpërthimi pranë rrugës 23 dhe 131 West ishte i qëllimshëm. Zoti DeBlazio tha se policia dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë nuk kishin patur njoftime për ndonjë kërcënim terrorist ndaj qytetit me popullsinë më të madhe në Shtetet e Bashkuara.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha sot në një konferencë shtypi se janë marrë masa të forta sigurie dhe se rreth 1 mijë policë shtesë janë duke patrulluar sistemin e transportit të qytetit.

Ai tha se të 29 të plagosurit dolën nga spitali. Në vendin e shpërthimit duken gjurmën e shpërthimit, xhama të thyer makinash dhe të dyqaneve pranë. Në rrugën ku ndodhi shpërthimi ka shumë klube, restorante dhe pallate banimi.

Autoritetet e Nju Jorkut, po ashtu janë duke zhvilluar hetime për një pajisje të pashpërthyer të vendosur në rrugën 27 West, vetëm disa blloqe larg vendit ku ndodhi shpërthimi. Pajisja që u gjet nga ekipet e sigurisë ishte një tenxhere me presion e lidhur me një celular të vendosura në një qese plastike, ku kishte edhe shumë tela.

Shpërthimi i Nju Jorkut ndodhi disa orë pas një shpërthimi në një kosh plehërash në Nju Xhërsi, rreth 135 km larg, që detyroi anulimin e një gare vrapi të mijëra vrapuesve, me synim bamirësie. Autoritetet thanë se nuk kishte lidhje mes këtyre incidenteve.

Këto ditë në Nju Jork janë duke shkuar udhëheqës botërorë, të cilët do të marrin pjesë në takimet vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahen atje gjatë javës.

XS
SM
MD
LG