Lidhje

Obama i kërkon Pentagonit të përgatitet për tërheqjen nga Afganistani


Shtëpia e Bardhë përsëriti dje se nuk do të ketë prani të trupave amerikane në Afganistan nëse qeveria afgane nuk nënshkruan një marrëveshje dypalëshe të sigurisë.

Para bisedës së djeshme telefonike, Presidenti Barak Obama dhe presidenti afgan Hamid Karzai nuk kanë folur me njeri tjetrin për muaj të tërë.

Udhëheqësi afgan ka refuzuar të nënshkruajë Marrëveshjen e Dypalëshe të Sigurisë për të cilën Shtetet e Bashkuara dhe NATO këmbëngulin se është e nevojshme për të planifikuar për një prani ushtarake pas vitit 2014 me synim mbështetjen e operacioneve kundër- terrorizmit dhe trajnimin e forcave afgane.

Jay Carney është Zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

"Ne e kemi bërë të qartë se shtyerja e nënshkrimit të Marrëveshjes Dypalëshe të Sigurisë e bënë më të vështirë planifikimin dhe ekzekutimin e ndonjë misioni amerikan në Afganistan pas vitit 2014. Dhe nëse presim për një kohë shumë të gjatë për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, ka shumë të ngjarë që çdo mision për praninë e trupave pas vitit 2014 të jetë i një shkalle dhe ambicie më të vogël."

I pyetur më pas nëse ai mund të deklaronte se pa nënshkrimin e marrëveshjes nuk do të ketë prani të trupave amerikane në Afganistan përtej 31 Dhjetorit të këtij viti, zëdhënësi Carney u përgjigj duke thënë "absolutisht."

Presidenti Obama i ka kërkuar Pentagonit të përgatitet për tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Afganistani deri në fund të vitit në rast se nënshkrimi tashmë i vonuar i Marrëveshjes dy palëshe për Sigurinë nuk realizohet.

Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel e quajti këtë një hap të matur, duke marrë parasysh se zoti Karzai ka demonstruar se ai nuk do të nënshkruajë marrëveshjen e sigurisë, e cila do t’i siguronte personelit ushtarak të Shteteve të Bashkluara atë që zyrtarët e quajnë " mbrojtje kritike dhe autoritet pas vitit 2014."

Sekretari Hagel tha se ushtria amerikane do të tërheq ushtarët dhe pajisjet nga betejat e luftës në Afganistan, por pozicionimi i forcave amerikane do të garantojë "opsione të ndryshme për udhëheqësit politikë të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s."

Planifikimi do të vazhdojë, shtoi ai, për pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në një mision të drejtuar nga NATO të fokusuar në trajnimin, këshillimin dhe mbështetjen e forcave afgane të sigurisë, dhe një mision që ka në fokus të ngushtë operacionet kundër terrorizmit.

Sekretari Hagel këtë javë merr pjesë në një takim të NATO-s në Bruksel si dhe në një takim të ministrave të mbrojtjes të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan.

Gjatë bisedës telefonike me presidentin Karzai, Presidenti Obama e bëri të qartë, sipas zëdhënësit Carney, se Shtetet e Bashkuara janë të hapura për nënshkrimin e një marrëveshjeje të sigurisë më vonë gjatë këtij viti.

Jay Carney theksoi përsëri se synimet e politikës së Shteteve të Bashkuara dhe NATOs gjithmonë janë varur nga nënshkrimi i marrëveshjes së sigurisë, dhe shtyrja e nënshkrimit të saj do të mund të rezultonte në tërheqje të plotë trupave amerikane nga Afganistani në fund të këtij viti ose në një mision më të vogël që do të qëndronte në këtë vend përtej vitit 2014.
XS
SM
MD
LG