Lidhje

Obama kërkon përparim në bisedimet bërthamore me Iranin


Presidenti amerikan tha se të dyja kombet e kanë një mundësi historike që të zgjidhin këtë çështje në rrugë paqësore.

Presidenti amerikan Barack Obama në një mesazh me rastin e vitit të ri persian u tha iranianëve se ky vit paraqet “mundësinë më të mirë në disa dekada” për të nxitur marrëdhënie të tjera ndërmjet të dyja vendeve.

Komentet e presidentit Obama drejtuar iranianëve që po kremtojnë festën e Nevruzit, ndodhë në një periudhë kur po afrohet afati për marrëveshjen kornizë për kufizimin e programit bërthamor të Iranit në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare kundër Teheranit.

Në një video mesazh, presidenti Obama u bëri thirrje udhëheqësve të Iranit që të mos humbin mundësinë e rrallë për të siguruar atë që ai e quajti marrëveshje “të arsyeshme” bërthamore që do t’i jepte fund izolimit ndërkombëtarë të Iranit.

“Kjo mundësi mund të mos rishfaqet së shpejti. Unë besoj se kombet tona kanë një mundësi historike që të zgjidhin këtë çështje në rrugë paqësore, një mundësi që nuk duket humbur”, tha presidenti Obama.

Bisedimet ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore kanë shënuar përparim, tha ai. “Por, hendeqet mbeten. Dhe ka njerëz në të dyja vendet tona dhe përtej që i kundërvihen zgjidhjes diplomatike”, shtoi ai.

Sekretari amerikan shtetit John Kerry, takohet të premten me shefin e diplomacisë iraniane Mohammad Javad Zarif, për atë që besohet të jetë dita e fundit e raundit aktual të bisedimeve që po mbahen në Lausanne të Zvicrës.

Zyrtarët amerikan dhe evropian, thonë se nuk duket të ketë ndonjë arritje të madhe dhe bisedimet mund të zgjaten.

Zyrtarët amerikan po ashtu mohuan raportet sipas të cilave Washingtoni dhe Teherani po hartojnë elementet e një marrëveshjeje bërthamore që detyron të shkurtojë për 40 për qind numrin e makinerive që mund të përdoren për prodhimin e bombës bërthamore.

Një raport i agjencisë së lajmeve Associated Press, citonte një zyrtar të paidentifikuar të ketë thënë se në këmbim Irani do të përfitonte çlirim të shpejtë nga një pjesë e sanksioneve rrënuese ekonomike dhe heqjen e pjesshme të embargos së Kombeve të Bashkuara për armët konvencionale.

Zëdhënësja e departamentit të shtetit, Jen Psaki, i cilësoi raportet e tilla si “të pasakta”, duke ngulur këmbë se një projekt dokument i tillë nuk ekziston.

XS
SM
MD
LG