Lidhje

Kongresi anulon veton e presidentit Obama ndaj ligjit për 11 shtatorin


Kongresi amerikan votoi në favor të anulimit të vetos së presidentit Barack Obama për një projekt-ligj, që do të lejojë padi kundër Arabisë Saudite për sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Votimet në të dyja dhomat e Kongresit përkuan shumë më njëri tjetrin dhe kjo shënon rastin e parë të përmbysjes së vetos së presidentit Obama

Në Senat, udhëheqësi i pakicës demokrate, Harry Reid nga Nevada, ishte i vetmi që qëndroi në anën e presidentit. Dhoma e përfaqësuesve votoi me 348 vota për kundrejt 77 sa ishin kundër.

Rezultati është një fitore e familjeve të atyre që u vranë në sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Deri më tani, përpjekjet e tyre për të kërkuar drejtësi në gjykatat amerikane, janë penguar nga imuniteti ligjor Arabisë Saudite.

Presidenti Obama i tha rrjetit CNN se vendimi i Kongresit për të lejuar paditë është "gabim".

Ai tha se viktimat e sulmeve të 11 shtatorit dhe familjet e tyre meritojnë mbështetje dhe kompensim nga fondi i krijuar nga administrata e tij. Por, ai tha se të lejosh qytetarët privatë të padisin një vend nën pretendimet se nuk ka bërë sa duhet për të penguar terroristët, mund të dëmtojë Shtetet e Bashkuara.

Arabia Saudite ka mohuar çdo lloj përfshirjeje në sulmet më të rënda terroriste që kanë ndodhur ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, 15 nga 19 rrëmbyesit e katër avionëve që i përplasën më vonë në Nju Jork dhe Uashington, u identifikuan si shtetas sauditë.

Të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit kanë bërë fushatë në mbështetje të këtij ligji.

XS
SM
MD
LG