Lidhje

Një i vrarë gjatë gjatë operacionit të FBI-së në Oregon


Byroja Federale e Hetimeve, arrestoi udhëheqësin e një grupi që kishte zaptuar një park në shtetin verilindor të Oregonit për gati një muaj.

Udhëheqësi, Ammon Bundy dhe disa të tjerë u larguan nga streha të martën për të shkuar në një takim të komunitetit, kur autoritetet ndaluan makinën e tyre.

Në një deklaratë të FBI-së, thuhet se pati të shtëna gjatë operacionit të përbashkët me policinë e shtetit dhe një nga të dyshuarit mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur.

Bundy dhe i vëllai Ryani u arrestuan së bashku me Brian Cavalier, Shawna Cox dhe Ryan Waylen Payne. Në një tjetër arrestim, autoritetet morën në paraburgim Peter Santillin dhe Joseph Donald O'Shaughnessyn.

Të gjithë ata janë të ngarkuar me veprën penale të konspiracionit për të penguar oficerët amerikanë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare përmes forcës, frikësimit apo kërcënimit.

Zaptimi i parkut filloi më 2 janar kur Bundy udhëhoqi një grup të përkrahësve për të zaptuar zonën.

Ata ankohen për mënyrën se si qeveria federale po menaxhon tokën, duke kërkuar që parku t'u kthehet autoriteteve vendase.

Për disa javë, FBI-ja dhe organet e rendit vëzhguan protestën pa ndërmarrë ndonjë veprim për largimin e protestuesve, numri i të cilëve po rritej me përkrahës nga pjesë të tjera të vendit.

Në mesin e të arrestuarve të së martës ka njerëz që vijnë edhe nga vende të largëta si Arizona dhe Ohio.

Banorët vendas mbështesin kauzën e fermerëve, por jo veprimin e armatosur.

Autoritetet federale qëndruan në park pas arrestimeve, por nuk është e qartë se sa protestues kanë mbetur atje.

XS
SM
MD
LG