Lidhje

Kryeministri pakistanez takohet me presidentin Obama


Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif po takohet në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Barak Obama, në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet shpesh të tensionuara mes Uashingtonit dhe Islamabadit.

Administrata e Presidentit Obama ka vendosur të çbllokojë ndihmën ushtarake prej 300 milionë dollarësh për Pakistanin që ishte e pezulluar, duke dhënë kështu një sinjal për përmirësimin e marrëdhënieve.

Marrëdhëniet arritën nivelin më të ulët pas ndërhyrjes në vitin 2011 të forcave speciale amerikane, që hynë në zemër të territorit pakistanez duke vrarë Osama Bin Ladenit, si dhe pas sulmit ajror të vitit të kaluar, që la mbi 20 ushtarë pakistanezë të vrarë përgjatë kufirit me Afganistanin.

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti shpreson ta shfrytëzojë takimin me zotin Sharif për të mbështetur një Pakistan të qëndrueshëm, të sigurtë dhe të begatë, që të kontribuojë për paqen rajonale dhe atë ndërkombëtare.

Sulmet e avionëve amerikanë pa pilot në Pakistan janë në krye të axhendës për kryeministrin pakistanez Nawaz Sharif. Muajin e kaluar, ai tha në Kombet e Bashkuara se lufta kundër terrorizmit duhet të bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

“Përdorimi i avionëve pa pilot në zonat kufitare të Pakistanit është një shkelje e vazhdueshme e integritetit tonë territorial. Kjo rezulton në vdekje të civilëve dhe është e dëmshme për vendosmërinë tonë dhe përpjekjet për të eliminuar ekstremizmin dhe terrorizmin nga Pakistani. U lutem Shteteve të Bashkuara që t’i ndalin këto sulme”.

Sulmet janë bërë simbol i paaftësisë së Pakistanit për të kontrolluar hapësirën e tyre ajrore, thotë profesori nga Universiteti “American” Akbar Ahmed.

“Avionët pa pilot janë bërë tashmë një simbol i fuqishëm i Amerikës në Pakistan, dhe i gatishmërisë së tyre për të shkelur ligjin ndërkombëtar, sovranitetin ndërkombëtar”.

Dje, Sekretari i Shtypit i presidentit Obama Jay Carney i mori në mbrojtje sulmet në fjalë.

“Shtetet e Bashkuara nuk nuk kryejnë sulme vdekjeprurëse kur ne apo partnerët tanë kanë aftësinë për t’i kapur terroristët,” tha zëdhënësi.

Administrata Obama duket se po e pakëson përdorimin e avionëve pa pilot. Por profesor Ahmed thotë se vetëm një ndalje e plotë e sulmeve mund të përmirësojë lidhjet e Uashingtonit me Islamabadin.

“Në Pakistan tani perëndimi shihet me sy të keq, sidomos Shtetet e Bashkuara. Por vetëm ndalimi i sulmeve dhe ndonjë gjest i tillë mund t'i përmirësojë këto prirje.”

Duket se Uashingtoni po përpiqet të riparojë dëmin. Administrata Obama i bëri kërkesë Kongresit këtë muaj për më shumë se një miliard dollarë ndihmë për Pakistanin.

Gjatë takimit me zotin Sharif para bisedimeve të tij në Shtëpinë e Bardhë, Sekretari i Shtetit John Kerry tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për lidhje më të ngushta.

“Marrëdhënia me Pakistanin është shumë e rëndësishme. Është një demokraci që po punon shumë për të zhvilluar ekonominë e saj dhe për t'u përballur me kryengritësit, është gjithashtu një vend shumë i rëndësishëm për stabilitetin rajonal”.

Ushtria e fuqishme e Pakistanit mbështet hapjen e bisedimeve të “pakushtëzuara” të qeverisë Sharif me Talebanin, por është edhe e gatshme të përdorë forcën. Shefi i përgjithshëm i ushtrisë Kayani Asfaq:

“Udhëheqja kombëtare ka zgjedhur rrugën e dialogut për t’u marrë me këtë rrezik, dhe ushtria pakistaneze e mbështet këtë proces. Por vendi dhe udhëheqja politike duhet të përcaktojnë parametrat e këtij dialogu.”

Me pretendimet e talebanëve se sulmet janë kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane me avionë pa pilot, profesor Ahmed thotë se synimet ekonomike të kryeministrit Sharif mund të vihen në pritje.

“Përvoja e zotit e Nawaz Sharif është ajo e një sipërmarrësi, një biznesmeni, dhe ai do të donte ta shihte Pakistanin të bëhej një fuqi ekonomike.”

Kjo, thotë Ahmed, nuk mund të ndodhë pa u rivendosur ligji dhe rendi.
XS
SM
MD
LG