Lidhje

SHBA, protesta kundër naftësjellësit


Amerikanët në mbarë Shtetet e Bashkuara po shprehim mbështetje për një fis të indianëve të Amerikës në Dakotën Veriore që po proteston kundër ndërtimit të një naftësjellësi në tokën e stërgjyshërve të tyre. Kandidatët presidencialë të të dyja partive kryesore nuk kanë marrë një qëndrim për çështjen që vë përballë industrinë e naftës kundër ambientalistëve. Por disa politikanë të majtë dhe figura të njohura po luajnë një rol aktiv në përkrahje të fisit Standing Rock Sioux.

Protestat kundër naftësjellësit Dakota Access janë zhvilluar në rreth 30 shtete. Të martën demonstruesit arritën në kryeqytetin e shtetit. Me kongresin amerikan të dominuar nga republikanët që janë pro kësaj industrie, fisi thotë se presidenti Barack Obama është e vetmja shpresë për ta. Jashtë Shtëpisë së Bardhë, aktivistët bënë thirrje për ndalimin e projektit:

"Njerëzit mendojnë se një derdhje e naftës do të ndikojë vetëm tek ne. Jo, ajo do të ndikojë te njerëzit në Gjirin e Meksikës dhe më tej. Ne përfaqësojmë të gjithë njerëzit", thotë Jasily Charger me Këshillin Ndërkombëtar të të Rinjve Indigjenë.

Gati 2 mijë kilometra naftësjellës nën tokë do të marrë naftë të papërpunuar nga Bakken-i në Dakotën Veriore për në Illinois duke kaluar në katër shtete. Përkrahësit thonë se kjo do të ndihmojë sigurimin e pavarësisë së energjisë për Shtetet e Bashkuara dhe do të hapë mijëra vende pune. Ata thonë se ambjenti është i sigurtë. Por disa amerikanë nuk janë të bindur:

"Grupi Oil Change International, që është thellësisht i shqetësuar rreth së ardhmes në planetin tonë, arrin në përfundimin se naftësjellësi do të ketë të njëjtin ndikim në planet sa do të kishte shtimi i 21 milionë makinave në rrugët tona."

Ish kandidati presidencial Bernie Sanders kërkon një analizë të thellë të ndikimit të projektit mbi ambjentin. Kandidatja presidenciale e Partisë së Gjelbërt, Jill Stein shkoi në Dakotën e Veriut ku disa aktivistë u arrestuan në fillim të javës pasi u përpoqën të bllokonin ndërtimin:

"Urdhër-arresti është lëshuar për njerëzit e gabuar. Krimineli i vërtetë është naftësjellësi. Ai duhet ndalur. Presidenti Obama duhet të tërheqë lejen e ndërtimit."

Departamenti i Drejtësisë të premten pezulloi ndërtimin në tokë publike pranë ose nën Liqenin Oahe, por vetëm pasi një gjykatë federale mohoi një kërkesë nga fisi Standing Rock Sioux për të ndaluar projektin që mund të rrezikojë ujin e pijshëm.

Debati për naftësjellësin ka tërhequr vëmendje në çështjen më të gjerë të statusit të amerikanëve vendas që janë ankuar për vite me rradhë për mungesën e respektit ndaj të drejtave të tyre.

XS
SM
MD
LG