Lidhje

Zgjedhjet paraprake në Partinë Republikane


Republikanët e moderuar shënuan një fitore tjetër në betejën e tyre të gjatë ndaj lëvizjes konservatore Tea Party në zgjedhjet brenda partisë, për të përcaktuar kandidatin e shtetit të Misisipit për në zgjedhjet e nëntorit për në Kongres. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, njofton mbi ndikimin që do të kenë këto zgjedhje brenda partisë republikane.

Senatori Thad Cocharan i bashkohet politikanëve të tjerë të moderuar republikanë që kanë fituar ndaj rivalëve të lëvizjes Tea Party.

“Ne të gjithë duhet të jemi krenar për shtetin tonë sonte.”

Fitorja e ngushtë e senatorit Cocharan ishte një goditje për rivalain e tij McDaniel dhe për lëvizjen Tea Party në përgjithësi.

Zotëri McDaniel shprehu pakënaqesi duke thënë se rivalai i tij, senatori Cocharan, i fitoi zgjedhjet duke u mbështetur tek votuesit demokratë, shumë nga të cilët janë afro-amerikanë, të cilët sipas ligjeve të shtetit Misisipi, kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjet parparake të partisë republikane, meqë nuk kishin votuar në zgjedhjet e fundit paraprake të partisë demokratike.

“Mendoj që ata mund të ngushëllohen me faktin që sërish arritën diçka duke bërë kompromise, duke shpërfillur vlerat republikane, dhe duke braktisur lëvizjen konservatore.”

Zoti McDaniel humbi pavarësisht fondeve që grumbulloi dhe ndihmës që mori nga lëvizja Tea Party, e cila i kishte kushtuar rëndësi të madhe fitores në shtetin e Misisipit, në kuadër të përpjekjes së saj për të fituar ndaj krahut të moderuar republikan dhe për t’i dhënë partisë një drejtim më konservator.

Lëvizja Tea Party arriti një fitore të rëndësishme në qershor duke fituar ndaj ligjvenësit Eric Cantor në Virxhinia. Ligjvenësi Cantor ishte edhe drejtuesi i grupit të ligjvenësve republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve. Por në këtë garë, vetë lëvizja Tea Party nuk luajti ndonjë rol të madh.

John Fortier nga qendra e politikave dypartiake, thotë se republikanët e moderuar, në përgjithësi kanë qenë më të suksesshëm sesa kundërshtarët e tyre nga rradhët e lëvizjes Tea Party.

“Mendoj se gjatë këtij viti kemi parë të fitojnë republikanët e moderuar, kandidatë të mirë dhe kemi parë se Republikanët kanë fitur nëpër gara ku edhe mund të kishin humbur disa vite më parë, pasi nuk kishin vënë kandidatë të përgatitur”.

Zoti Fortier dhe shumë ekspertë të tjerë besojnë që nëse republikanët vazhdojnë të emërojnë kandidatë, të cilët janë të pranueshëm për shumicën e votuesve, atëherë ata mund t’i rrisin shanset e tyre që të fitojnë 6 vendet e nevojshme për të rimarrë kontollin e Senatit nga demokratët.

Shumë analistë nuk besojnë që demokratët do të arrijnë të rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqsuesve, ku republikanët kryesojnë me diferencë të madhe.

Demokratët do përpiqen të përfitojnë nga përçarjet brenda partisë republikane. Strategu demokrat nga Virgjinia, Joe Lestingey, beson që republikanët do të vazhdojnë përplasjet e brendshme me lëvizjen Tea Party që pritet të zgjasisn deri në zgjedhjet presidenciale të 2016-tës.

“Ata akoma janë të zëshëm dhe do vazhojnë të luftojnë, pra do të përballën me një luftë të brendshme në parti në dy vitetet e ardhshme derisa të sqarohet kjo situatë”.

Gara partiake për të emëruar kandidatin presidencial nga rradhët e republikanëve për zgjedhjet e vitit 2016 akoma nuk ka nxjerrë ndonjë kandidat favorit. Disa republikanë të moderuar kanë kërkuar që ish guvernatori i Floridës Jeb Bush dhe guvernatori i New Jersey-t Chris Christie të hyjnë në garë.

Aktivistë të lëvizjes Tea Party kanë kandidatët e tyre të preferuar për zgjedhjet presidenciale të 2016, sentorin nga Teksasi Ted Cruz, senatorin nga Kentaki, Rand Paul dhe senatorin nga Florida, Marco Rubio.

XS
SM
MD
LG