Lidhje

SHBA, publiku i ndarë rreth lirimit të rreshterit Bergdahl


Ndërkohë që Presidenti Obama vazhdon të mbrojë vendimin e tij për shkëmbimin e pesë të burgosurve talebanë për një rreshter të ushtrisë amerikane, anketat e hershme tregojnë se publiku amerikan është i ndarë mbi këtë çështje të debatueshme. Një sondazh i kanalit televiziv Fox News tregon se në ditët e para, 45 përqind mbështesnin shkëmbimin, ndërsa 47 përqind e kundërshtonin atë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman njofton se shkëmbimi i së shtunës, dhe dështimi i administratës së Presidentit Obama për të njoftuar ligjvënësit më parë, kanë ndezur një debat intensiv mbi këtë çështje në kongres.

Ndoshta si kurrë më parë çlirimi i një ushtari amerikan nga duart e armikut ka provokuar një debat shumë të ashpër në Uashington dhe më gjerë. Në Bruksel, presidenti Obama iu përgjigj kritikave të shumta.

"Ne pamë një mundësi dhe e shfrytëzuam atë. Dhe unë nuk kërkojë ndjesë për këtë. Ne kemi një parim themelor: nuk e lëmë prapa asnjë ushtarë amerikan".

Këto pohime nuk kanë rëndësi për senatorin republikan Marco Rubio, i cili e kritikoi ashpër lirimin e udhëheqësve të burgosur talebanë nga burgu i Guantanamo Bay në Kubë.

"Unë jam gjithnjë e më i bindur nga të gjitha ato që na janë prezantuar se këta pesë individë që janë liruar së shpejti do të kthehen në luftën kundër Amerikës. Presidenti tani ka vendosur një precedent që do të inkurajojë armiqtë e Shteteve të Bashkuara që të rrëmbejnë burrat dhe gratë amerikane në uniformë".

Disa kritikë republikanë të administratës më parë kanë bërë thirrje për intensifikimin e përpjekjeve për lirimin e rreshterit Bergdahl.

Të tjerët pretendojnë se administrata ka shkelur ligjin amerikan duke mos e njoftuar Kongresin para shkëmbimit të të burgosurve, duke rindezur debatin tashmë të gjatë mbi autoritetin e Kongresit kundrejt pushtetit presidencial. Susan Collins është senatore republikane.

"Ligji për mua është shumë i qartë, komisioni ose të paktën udhëheqësi i komisionit duhej të ishte njoftuar".

Por Shtëpia e Bardhë thotë se shëndeti i ushtarit Bowe Bergdahl bëri që lirimi i tij të ishte një çështje urgjente, dhe një detyrim kombëtar për rreshterin dhe familjen e tij.

"Mendoj se është e rëndësishme për njerëzit që ta kuptojnë se kjo nuk është një gjë abstrakte, nuk është futboll politik. Kemi dy prindër fëmija i të cilëve doli vullnetarë për të luftuar në një vend të largët, ata nuk e kishin parë atë për pesë vjet dhe nuk e dinin nëse do ta shihnin atë përsëri".

Kritikët thonë se administrata varet nga justifikime të dobëta për një vendim të dobët. Saxby Chambliss është senator republikan.

"Unë nuk mendoj se çështja shëndetësore ka diktuar lirimin e këtyre pesë vrasësve në shkëmbim të ushtarit Bowe Bergdahl."

Njoftimet e shumta se Bowe Bergdahl ishte larguar nga baza e tij para se të kapej nga talebanët ka intensifikuar debatin mbi këtë çështje.

Analistët thonë se administrata e Presidentit Obama ishte e papërgatitur për kundërshtimet rreth lirimit të rreshterit. Opinioni publik mund të ndryshojë me daljen e më shumë hollësive mbi zhdukjen e rreshterit Bergdahl dhe përpjekjet e Administratës për lirimin e tij.
XS
SM
MD
LG