Lidhje

Kandidatët republikanë debatojnë në Karolinën e Jugut


Beteja e pritshme politike për personin që do të zëvendësojë anëtarin e Gjykatës së Lartë, Antonin Scalia, u bë menjëherë temë edhe e debatit të kandidatëve republikanë presidencialë dje në Karolinën e Jugut. Rivalët për emërimin e partisë ishin në një mendje në këtë drejtim. Ata thanë se Presidenti Barack Obama nuk duhet të emërojë anëtarin e ardhshëm të Gjykatës.

Kandidatët mbajtën një moment heshtje për nder të zotit Scalia, para se të paraqitnin qëndrimet e tyre lidhur me përzgjedhjen e pasuesit të tij.

Biznesmeni Donald Trump, që kryeson në sondazhet mes republikanëve, tha se udhëheqja republikane e Kongresit nuk duhet ta lejojë presidentin Obama të veprojë.

"I takon udhëheqësit republikan të Senatit, Mitch McConnell dhe të tjerëve që ta frenojnë një gjë të tillë. Duhet ta shtyjmë emërimin duke shkaktuar vonesa”.

"Sinqerisht shpresoj që Presidenti të mos paraqesë një kandidat. Por nëse e bën një gjë të tillë, duhet të zgjedhë dikë që do të siguronte një votim unanim dhe një miratim të publikut në gjithë vendin, që procesi të mos jetë i kontestuar. Por nuk mendoj se një gjë e tillë është e mundur”, tha kandidati tjetër, John Kasich.

"Jam plotësisht dakord që nuk duhet lejuar emërimi i një anëtari të Gjykatës në këtë moment”, u shpreh Ben Carson.

"Sigurisht që presidenti gëzon të drejtën të emërojë anëtarë të Gjykatës së Lartë, sipas kushtetutës. Ne jemi në garë për presidencën, duam sigrurisht që ekzekutivi të jetë I fuqishëm, por në këmbim të kësaj të drejte duhet të ketë një prirje për consensus për atë emërim dhe nuk kam asnjë dyshim që Barack Obama nuk do të paraqesë një kandidat të tillë në Senat”, tha ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush.

"Nuk besoj që presidenti duhet të bëjë emërimin dhe një gjë e tillë nuk do të ishte e paprecedent. Në fakt, në mbi 80 e fundit, asnjë president në fund të mandatit nuk ka emëruar një anëtar të Gjykatës së Lartë”, tha Senatori Marco Rubio.

"Senati duhet të mbajë një qëndrim të forte dhe të thotë se ne nuk do të lejojmë një vendim që i jep mundësi Barack Obamës që të emërojë edhe një kandidat tjetër liberal në Gjykatën e Lartë”, tha Senatori Ted Cruz.

Kandidatët më pas diskutuan, për çështje si siguria kombëtare dhe emigracioni, duke shpresuar që mesazhi i tyre të bëjë për vete votuesit në Karolinën e Jugut në zgjedhjet paraprake të shtunën.

XS
SM
MD
LG