Lidhje

Bashkëpunimi ekonomik SHBA-Rusi


Ndërkohë që tensionet në marrëdhëniet politike të Shteteve të Bashkuara me Azinë dhe Rusinë tërheqin shpesh vëmendje, marrëdhëniet në fushën e biznesit nganjëherë lëvizin pa probleme. Ekzekutivët amerikanë të cilët morën pjesë në takimin e sapo përfunduar të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit thonë se ka interes të lartë në rajon për produktet dhe kompanitë amerikane.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton u tha pjesëmarrësve në takimin e APEC-ut se hyrja e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë kohët e fundit do të jetë një nxitje për kompanitë amerikane.

“Hyrja në sistemin e bazuar në rregulla tregtare është fitimprurëse. Edhe partnerët tregtarë të Rusisë përfitojnë nga kjo”.

Ekzekutivët amerikanë në APEC ndanë optimizmin e tyre rreth Rusisë dhe Azisë.
Scott Price, president i Walmart-it për Azinë, thotë se kompania e tij është e vetmja firmë e madhe e shitjeve që ka hapur dyqane të reja në Japoni.

“Për 79 për qind të kinezëve, 72 përqind të indianëve dhe 70 për qind të japonezëve gjëja më e rëndësishme është çmimi. Pra, nëse dërgoni produkte cilësore me çmim më të mirë, ju fitoni më shumë klientë sepse ata nuk shqetësohen nëse produktet janë amerikane, franceze apo kineze ata thjeshtë duan të jenë të sigurt në cilësinë e produkteve”.

James Turley, i cili drejton firmën amerikane të kontabilitetit, Ernst & Young, sapo njoftoi se do të hap një zyrë në Vladivostok.

“Investitorët e huaj në Rusi - amerikanët, dhe ata nga vendet e Evropës Përëndimore- ndjehen shumë pozitivë pasi ata investojnë dhe mësojnë se si funksionojnë gjërat në Rusi. Kompanitë që kanë qenë këtu për një kohë të gjatë duan të rrisin investimet e tyre e jo t’i pakësojnë ato. Kompanitë që nuk kanë investuar ende në Rusi janë ende pak të frikësuara”.

Kompania Hyatt do të hapë dy hotele vitin e ardhshëm në Vladivostok, duke e bërë atë një nga kompanitë e para të këtij lloji që investon në Lindjen e Largët ruse. Aliya Turumbekova është drejtore e marketingut për kompaninë Hyatt.

“Ne mendojmë se ky është një rajon shumë i mirë me një potencial të madh. Sidomos kur je kompania e parë ndërkombëtare në rajonin e Lindjes së Largët, ne jemi shumë krenarë që jemi duke menaxhuar këto dy hotele”.

Kampusi i universitetit të Vladivostok-it, që ka shërbyer si qendër e konferencës së APEC-ut, u ndërtua nga kompania amerikane e makinerive të rënda Caterpillar. Edhe një akuariumi aty pranë është ndërtuar nga e njejta kompani. Joe Caldwell ka dhënë me qera dhe ka shitur pajisje të kompanisë Caterpillar në Lindjen e Largët Ruse për 16 vjet.

“Në të gjithë ishullin ka pajisje të kompanisë Caterpillar përfshirë pajisje për gërmimin e dheut, buldozerë, pajisje për ndërtimin e rrugëve, gjeneratorë në Akuarium. Kemi dhënë me qira rreth 100 makina dhe kemi shitur rreth 150 të tjera”.

Ndërkohë që pjesëmarrësit në takim shikonin fishekzjarret, Emil Veliev, menaxher i ndërtesës ku zhvillohet takimi i APEC-ut, prapa skenës me krenari prezantonte sistemin e trajtimit të ujërave të zeza që ai e kishte ndërtuar me teknologji amerikane.

“Për të ardhmen e Rusisë dhe të bashkëpunimit me Amerikën, për produktet e reja, me të vërtetë gjithëçka varet nga këta njerëz të cilët janë të gatshëm për të investuar, të cilët në fakt shohin përfitime të mira nga të gjitha këto produkte”.

Ndërkohë, gjatë takimit të APEC-ut, ka pasur shqetësime se legjislacionit mbi marrëdhëniet tregtare SHBA-Rusi në Kongres mund të minohet nga një klauzolë mbi të drejtat e njeriut. Por, kryetari i Këshillit të Biznesit SHBA-Rusi, Ed Verona nuk është dakord me këtë vlerësim.

“Ne jemi në gjendje të veprojmë në fusha të veçanta. Pra ne jemi duke filluar të ndërtojmë marrëdhënie tregtare dhe ekonomike që nuk janë tërësisht të varura nga gjendja e marrëdhënieve tona dypalëshe në planin politik dhe gjeopolitik”.

Pavarësisht nga mosmarrëveshjet politike mes Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë, interesat e përbashkëta ekonomike të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara mund krijojnë një lidhje afatgjatë mes dy vendeve.
XS
SM
MD
LG