Lidhje

SHBA - Rusi, incident me avionë


Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë se një avion i saj luftarak ka fluturuar qëllimisht shumë afër një avioni amerikan zbulimi mbi Detin e Zi.

Incidenti i djeshëm u komentua nga zyrtarët ushtarakë amerikanë si një akt “tepër i rrezikshëm dhe jo-profesional”. Moska reagoi më pas duke thënë se ka vepruar në përputhje me rregullat ndërkombëtare të fluturimit.

Shtetet e Bashkuara thonë se avioni Poseidon i marinës ushtarake, po kryente operacione rutinë në hapësirën ndërkombëtare kur një avion rus SU-27 u shfaq tre metra larg në një interceptim që zgjati 19 minuta.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se interceptimet e avionëve dhe anijeve të tyre nga mjete ruse fluturimi dhe lundrimi janë diçka e zakontë por në të kaluarën janë kryer në mënyrë të parrezikshme dhe profesionale.

Pentagoni tha se akte të ngjashme me incidentin e fundit mund të shkaktojnë acarim të panevojshëm tensionesh dhe mund të rezultojnë edhe në aksident.

XS
SM
MD
LG