Lidhje

SHBA, Rusia dhe siguria ajrore mbi Siri


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia pritet të nënshkruajnë një dokument që do të ndihmonte shmangien e përplasjeve të avionëve të tyre mbi Siri.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimi të martën për sigurinë ajrore në qiellin sirian, thanë zyrtarë të Pentagonit.

“Është thjeshtë çështje e formulimeve në dokument para se ai të nënshkruhet, prandaj jemi shumë afër” u tha gazetarëve të hënën zëdhënësi i Pentagonit, kapiteni i marinës Jeff Davis.

Davis nënvizoi se udhëzimet ajrore të vendosura me Rusinë, nuk janë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë lidhur me operimet e të dyja vendeve në Siri. Ato synojnë vetëm të shmangin mundësinë që avionët amerikanë dhe ata rusë të përplasen derisa të dyja palët po kryejnë misione bombardimesh në Siri.

“Kjo është thjeshtë e përqendruar në sigurinë ajrore. Nuk është një marrëveshje”, tha ai. “Ne në fakt nuk pajtohemi me asgjë që bën Rusia në Siri”.

Një zyrtar amerikan i tha Zërit të Amerikës se marrëveshja e mirëkuptimit do të përfshijë përzgjedhjen e radio-frekuencave për komunikim dhe masa e tjera të sigurisë për ndarje “profesionale” të hapësirës ajrore mbi Sirinë.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka vënë në shënjestër të sulmeve ajrore militantët e Shtetit Islamik në Siri për më shumë se një vit.

Rusia thotë po ashtu se po sulmon Shtetin Islamik dhe grupet tjera terroriste, por, Pentagoni dhe grupet siriane për të drejtat e njeriut, thonë se pjesa më e madhe e sulmeve ruse nuk janë asgjëkundi përreth territoreve të kontrolluara nga Shteti Islamik.

Rusët kërkuan bisedime me Shtetet e Bashkuara për “shtendosje” pas fillimit të sulmeve ajrore muajin e kaluar.

Pentagoni nuk ka raportuar për incidente të mëdha që kur Rusia filloi sulmet ajrore atje. Zyrtarët e mbrojtjes thanë se megjithatë, avionët e koalicionit janë detyruar të ndryshojnë kursin e fluturimit për të shmangur afrimin me fluturaket ruse.

Davis u tha gazetarëve se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka shmangur përplasjet me avionët sirianë për më shumë se një vit dhe nuk do të pengohet nga “aktorët tjerë” në luftën kundër Shtetit Islamik.

Ai tha se ushtarakët amerikan mendojnë se marrëveshja e mirëkuptimit me rusët ia vlen për të siguruar pilotët amerikanë.

XS
SM
MD
LG