Lidhje

Kanceret dytësorë


Kanceret dytësorë janë në rritje, duke ndikuar gati një në pesë pacientë në Amerikë. Mjekët thonë se ndërsa një rikthim i sëmundjes është shqetësues, njeriu mund të mbijetojë.

Judith Bernstein, 72-vjeçare, është dritë shprese për pacientët që kanë provuar kthimin e kancerit. Ajo mban një dhuratë të çmuar; një mbishkrim hebraik ku thuhet: "Perëndi më shëro tani.”

Ajo ka pasur tetë lloje kanceresh gjatë dy dekadave të fundit, të gjitha të trajtuara me sukses. Kancere dytësorë quhen ato raste kur më shumë se një tumor shfaqen në një ind apo pjesë tjetër të trupit, dhe që nuk janë përsëritje ose përhapje e tumorit të mëparshëm. Judith e pranon se është shembull ekstrem pasi ka përjetuar një listë të gjatë kanceresh dytësorë:

"Kancer i lëkurës, limfoma, në gji, mushkëri, ezofag, që u pasua nga kancer në tiroide."

Pothuajse çdo pjesë e trupit të saj ka qenë e prekur nga një lloj kanceri dytësor. Një studim tregon se pothuajse 1/5 e të gjithë kancereve në SHBA janë përjetuar nga një pacient më shumë se një herë. Judith përshkruan vuajtjet e saj:

"Thjesht kam pasur fat të keq. Dhe ka qenë gjithashtu një barrë emocionale për burrin e saj Arnold. Shumë netë pa gjumë për t'u siguruar se ishte gjallë".

Psikologjikisht, një kancer i dytë është shpesh më traumatik për pacientët dhe familjet. Judith është trajtuar në Qendrën e Kancerit Fox Chase. Që nga viti 1970, kur kanceri i dytë shfaqej në vetëm 9 për qind e pacientëve, shifrat janë rritur. Por tani më shumë njerëz mbijetojnë kancerin dhe jetojnë mjaft gjatë për t’u prekur përsëri. Kanceret dytësorë mund të krijohen nga të njëjtat ndryshime gjenetike apo faktorë rrezikut, si pirja e duhanit.

Edhe disa trajtime të tilla si terapi me rreze që ndihmojnë njerëzit të mbijetojnë kancerin e tyre të parë mund të rrisin rrezikun për një kancer të ri më vonë në jetë.

Një nga mjekët e qendrës është Eric Horwitz:

"Ndonjëherë dikush është në rrezik për një kancer të dytë. Por herë të tjera, shërohet nga kanceri i parë dhe është në rrezik sa çdo njeri tjetër normal për t’u prekur nga një kancer tjetër”.

Pavarësisht nga kanceret e saj, Judith Bernstein kryen ushtrime fizike për të ruajtur qetësinë dhe shpresën. Kanceret dytësorë paraqesin sfida të veçanta. Trajtimi mund të jetë më i kufizuar. Për shembull, rrezatimi zakonisht nuk rekomandohet të jepet më shumë se një herë në të njëjtën pjesë të trupit. Disa barna jepen me kufizime për të shmangur pasojat anësore në tru apo zemër. Ekspertët në këtë klinikë thonë se për këtë arsye kanë krijuar trajtime të ndryshme për pacientët me kancer. Gjithashtu, për të qenë vigjilent për simptomat është e rëndësishme dhe kryerja e vizitave në datat e caktuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG