Lidhje

Senati miraton ligjin lidhur me 11 shtatorin


Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi të martën një projektligj, që do t’i lejonte të mbijetuarit dhe të afërmit e rreth 3 mijë viktimave të 11 shtatorit të hidhnin në gjyq qeverinë e Arabisë Saudite për dëmet e shkaktuara nga sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Rijadi ka mohuar përfshirjen në sulme, aktet më të rënda terroriste në Shtetet e Bashkuara, ndërsa 15 nga 19 rrëmbyesit e avionëve që morën drejtimin e katër avionëve të pasagjerëve për të kryer sulmet në Nju Jork dhe Uashington, më vonë u identifikuan si shtetas sauditë.

Ligji i ri i jep të drejtën familjeve të viktimave të ngrenë akuza ndaj Arabisë Saudite për dëmet e shkaktuara nga roli që mund të ketë luajtur në sulmet e 11 shtatorit. Nga ana e saj, Arabia Saudite, ka kërëcënuar se do t’i marrë miliarda dollarë ekonomisë amerikane, në se projektligji i miratuar nga Senati shndërrohet në ligj. Që kjo të ndodhë, masa e miratuar të martën nga Senati duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe më pas të nënshkruhet nga Presidenti Barak Obama.

Presidenti Obama ka thënë se do t’i verë veton ligjit, në se ai miratohet në Kongres, duke shtuar se ai do t’i ekspozonte amerikanët jashtë vendit ndaj rreziqeve ligjore.

Pas miratimit të ligjit në Senat, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha: "Duke patur parasysh shqetësimet e ngritura, vështirë të imagjinosh që Presidenti ka për ta firmosur ligjin.”

XS
SM
MD
LG