Lidhje

Senatorët amerikanë flasin për Egjiptin, nuk synojnë ndërprerjen e ndihmës


Senatorët amerikanë flasin për Egjiptin, nuk synojnë ndërprerjen e ndihmës
Senatorët amerikanë flasin për Egjiptin, nuk synojnë ndërprerjen e ndihmës

Edhe para njoftimit të Presidentit egjiptian Hosni Mubarak se nuk do të garonte për rizgjedhje, senatorët amerikanë po flisnin sikur largimi i tij nga pushteti ishte gjë e sigurt. Senatorët nga të dy partitë e mëdha politike thanë të martën se ndihma amerikane për Egjiptin ka qenë ndihmë e qëlluar. Ata nuk shfaqën ndonjë synim për të ndryshuar ose ndërprerë ndihmën – të paktën në këtë kohë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman, na sjell hollësi.

Disa orë para shpalljes së zotit Mubarak, kryetari i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Xhon Keri, tha se egjiptianët “janë përpara” presidentit të tyre. Demokrati nga Masaçusets tha se udhëheqësi egjiptian duhet të bëjë më shumë se vetëm të mos kandidohet për zgjedhjet e ardhshme.

“Duhet shkuar edhe më tej, të formohet një qeveri e përkohshme gjatë muajve të ardhshëm, në mënyrë që të shmanget dhuna dhe të ndihmohet kalimi i Egjiptit drejt së ardhmes që e kërkon dhe e meriton populli.”

Senatori republikan, Llindsi Graham i Karolinës së Jugut, iu bashkëngjit thirrjeve për një qeveri të përkohshme dhe mbështeti vazhdimin e bashkëpunimit amerikan me Egjiptin.

“Mendoj se do të ishte e udhës që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë në këtë kalim e të mos rrinë anash.”

Administrata e Presidentit Obama i ka mirëpritur thirrjet për ndryshime në Egjipt, por thotë se egjiptianët duhet të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre. Për dhjetëra vjet, Egjipti ka qenë një prej përfituesve më të mëdhenj të ndihmës amerikane, duke kaluar shumën 1,5 miliard dollarë në vit gjatë dekadës së fundit.

Senatori demokrat nga Kënetikat, Xhozef Liberman, thotë se paratë ishin shpenzuar me vend.

“Me to u mbështet një qeveri që, për vite, ka qenë shumë e vyeshme për të ruajtur stabilitetin në Lindjen e Mesme. Së dyti, shumë nga këto para i shkojnë ushtrisë egjiptiane. Dhe kujtoj edhe në këtë çast krize, po e shohim se ushtria po luan rol tejet të rëndësishëm për unitetin e vendit.”

Zoti Liberman thotë se tani nuk është koha që të kërcënohen egjiptianët ose ushtria e tyre me ndërprerjen e ndihmës amerikane. Me këtë pajtohet edhe senatori republikan nga Indiana, Riçard Llugër.

Një tjetër senatore republikane, Suzën Kollins e shtetit Mejnë, shton se ndihma amerikane për Egjiptin ka qenë konstruktive si për vendin ashtu edhe për rajonin e Lindjes së Mesme në tërësi. Por ajo ngurron të thotë nëse do të garantonte në të ardhmen asistencën amerikane ndaj Egjiptit.

“Kujtoj se është herët të arrihet në atë përfundim. Për shembull, nëse Vëllazëria Myslimane merr kontrollin e vendit disi, atëherë është e qartë se nuk do t’i jepnim kurrfarë ndihme Egjiptit.”

Vëllazëria Myslimane është një lëvizje islamiste e ndaluar në Egjipt.

Senatori Liberman thotë që nuk pandeh se udhëheqja e re e Egjiptit do të jetë armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Por shton se Presidenti Mubarak mund të ndihmojë për të siguruar rezultatin më të mirë.

Senatorët amerikanë po mbështesin publikisht ndryshimet dhe në përgjithësi duken optimistë por të matur rreth asaj që do të mund të sillnin ndryshimet.

XS
SM
MD
LG