Lidhje

Kirby: Normalizimi i marrëdhënieve – nënkupton Kosovën në OKB


Ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby, nxiti reagime në Serbi me deklaratat e tij se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës nënkupton anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Në një intervistë me gazetën serbe Veçernje Novosti, ai citohet të ketë thënë se “ne nuk kërkojmë që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, por normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Se çfarë do të thotë në fund saktësisht ky normalizim, i takon Bashkimit Evropian ta përcaktojë, por, sipas nesh, ai përfshinë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.

Ai ka përmendur në këtë intervistë shembullin e dy Gjermanive të pas Luftës së Dytë Botërore duke theksuar se Gjermania Perëndimore nuk e kishte njohur Gjermaninë Lindore, por ajo ishte anëtare e OKB-së.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha të premten se nuk është e lehtë që një vend i vogël si Serbia të jap përgjigje në atë çfarë ka thënë ambasadori Kirby.

“Krejt çfarë mund të them është se Serbia ka politikën e saj. Ne e respektojmë politikën e Shteteve të Bashkuara, që janë superfuqi botërore, por ne kemi politikën tonë dhe i përmbahemi asaj”, tha kryeministri serb.

Ndërsa ministri serb i punëve të jashtme, Ivica Daçiç, tha se Serbia nuk mund të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare që do të nënkuptonte legalizimin e “pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme”.

“Serbia nuk do të ndryshojë politikën e saj parimore, më përkushtim të plotë ndaj dialogut si mënyrë e vetme për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura”, citohet të ketë thënë shefi i diplomacisë serbe, duke tërhequr vërejtjen se dallime rreth pavarësisë së Kosovës ka edhe në Bashkimin Evropian ku pesë vende anëtare nuk e njohin ende Kosovën.

Serbia e mbështetur nga aleatja e saj Rusia, vazhdon të kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, të cilën e kanë njohur deri tash 110 vende të botës.

Megjithatë ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të cilat i mundësuan asaj hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimi Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Diplomatët perëndimorë nuk i kanë kërkuar hapur Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës si kushtin përfundimtar për integrim në Bashkimin Evropian, por kërkojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG