Lidhje

FBI në krye të hetimeve për vrasjet në Tenesi


Byroja Federale e Hetimeve, FBI është angazhuar në hetimet për të zbuluar motivin e personit që hapi zjarr ndaj dy objekteve ushtarake amerikane në Çatanuga të Tenesisë dje, duke vrarë katër marinsa.

Një zëdhënës i FBI-së tha se për momentin nuk kanë zbuluar asgjë që e lidh personin e identifikuar si autor i vrasjeve, Youssef Abdulzeez, me terrorizmin ndërkombëtar, por hetimet përfshijnë edhe këtë pistë.

24-vjeçari Abdulazeez, jetonte në Hikson të Tenesisë, pranë Çatanugës. Ai u vra në shkëmbim zjarri me autoritetet.

Autoritetet thonë se personi i armatosur hapi zjarr nga makina në drejtim të një qendre rekritimesh për forcat ushtarake në një kompleks dyqanesh ku kishin një zyrë të përbashkët të katër shërbimet e ushtrisë amerikane. Në qendrën e rekrutimit u vranë katër marinsa dhe u plagos rëndë një detar.

I dyshuari Abdulazeez kishte lindur në Kuvait dhe kishte marrë shtetësinë amerikane.

Presidenti Obama u zotua dje për një hetim të shpejtë dhe të hollësishëm, por tha se mesazhi i tij kryesor janë ngushëllimet për familjet e marinsave të vrarë.

XS
SM
MD
LG