Lidhje

Mjekësia rehabilituese


Prindërit e një djali të paralizuar australian thonë se një ditë ai mund të jetë në gjendje të ecë pas udhëtimit në Amerikë për trajtim intensiv në një qendër rehabilitimi. Shkencëtarët në Universitetin Louisville të Kentakit, thonë se teknikat e tyre kanë sjellë përmirësime për disa fëmijë të cilët nuk janë në gjendje të ecin në mënyrë të pavarur.

Gjendja e 4-vjeçarit Evander Conroy tregon se udhëtimi i jetës mund të fillojë me vetëm disa hapa të vegjël. Që para se të lindte ai kishte kancer të shtyllës kurrizore.

Gjashtë muaj trajtim me kimioterapi ndikoi në zhdukjen e kancerit, por palca kurrizore mbeti e dëmtuar, dhe ai nuk mund të ecë. Prindërit, që jetojnë në Sydney, thonë se trajtimi i nevojshëm me terapi për Evanderin në Australi nuk ishte i mundur. Ata u nisën për në Amerikë pasi mësuan se Universiteti Louisville kishte një qendër të posaçme për fëmijët që kanë nevojë për rehabilitim fizik. Nëna e Evanderit, Clare Conroy thotë:

"Djali lindi me një tumor neuroblastome në shtyllën kurrizore. Së pari mjekët u morën me trajtimin e tumorit me kimoterapi. Megjithatë, pas shërimit, ai nuk ishte në gjendje për të lëvizur nga mesi e poshtë”.

Clare e solli djalin e saj në qendrën e rehabilitimit, sepse trajtimi duhej të fillonte që në moshe të re. Evander ka 3 vjet në këtë klinikë dhe e gjithë shpresa e tij është se do të bëhet më mirë. Profesor Andrea Behrman i Departamentit të Kirurgjisë Neurologjike thotë:

"Ky fëmijë i ka të gjitha shenjat për të qëndruar në këmbë e për të ecur. Radiografitë dhe analizat MRI tregojnë se përmirësimi i tij është i mahnitshëm.”


Dr. Behrman përqëndrohet në metodat terapeutike që nxisin rimëkëmbjen pas lëndimit të palcës kurrizore tek fëmijët dhe të rriturit. Terapia e tij mbështet pikëpamjen se sistemi nervor nuk është i pariparueshëm.

"Fijet nervore në palcën kurrizore janë në gjendje të mirë. Ne na duhet të kuptojmë se si t’i rigjallërojmë ato, dhe mendoj se terapia në këtë rast është kyçi i suksesit".

Kur Evander erdhi në klinikë në vitin 2012, ai nuk mund të qëndronte fare në këmbë, por tani është në gjendje për të hedhur disa hapa. Clare Conroy beson se ky përmirësim justifikon ardhjen e tij nga Australia në këtë qendër rehabilitimi.


“Është diçka që kurrë nuk e kishim menduar se do të ndodhte. Pra, për të parë se ai është duke hedhur hapa, ndërsa më parë duhej dikush për ta ndihmuar."

Hapat e Evanderit tani janë të vogla, por ato mund të përfaqësojnë një hap të madh në drejtimin e duhur në fushën e mjekësisë rehabilituese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG