Lidhje

SHBA: “Super e marta”, dita më e rëndësishme për zgjedhjet paraprake brenda partive


Dita e sotme, e quajtur “super e marta” është më e rëndësishmja deri më tani për garën për presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, kur kandidatët konkurojnë në 11 shtete njëkohësisht. Kandidatët e mbetur prapa në sondazhe shpresojnë të rifitojnë terren përballë kandidatëve kryesorë.

E marta është shumë e rëndësishme për republikanët, pasi kandidati Donald Trump ka fituar më parë në tre shtete dhe rezulton të jetë favorit në 10 shtete të tjera. Trump nuk rezulton i pari vetëm në sondazhet për shtetin e Teksasit, ku Senatori Ted Cruz shpreson të fitojë sa më shumë vota të bashkëvendasve të tij.

Nuk do të jetë aq e rëndësishme se në sa shtete fiton zoti Trump, por se sa vota do të marrin kandidatët Cruz dhe Rubio, pasi votat përkthehen në mënyrë proporcionale në delegatët që nevojiten për të siguruar emërimin e republikanëve.

Në garën demokrate, një sondazh i kryer nga CNN/ORC tregoi dje se ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, po zgjeron avantazhin e saj ndaj Senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders, me 55% ndaj 38%. Zonja Clinton gjithashtu kryeson me diferencë të madhe edhe në numrin e delegatëve që ka fituar deri tani.

Në po këtë sondazh del se 49% e republikanëve mbështesin zotin Trump, pra më shumë se të katër kandidatët e tjerë të marrë së bashku. Rivali i tij më i afërt është zoti Rubio, me 16%, i ndjekur prej zotit Cruz me 15%. Sondazhe të tjera të kryera javën e kaluar e tregonin mbështetjen për zotin Trump nën 40% , ndërsa 20% ishte mbështetja për secilin nga kandidatët Rubio dhe Cruz.

Si republikanët, ashtu edhe demokratët do të emërojnë zyrtarisht kandidatin e tyre në konventat e muajit korrik, por kandidati më i favorizuar ka shansin ta fitojë fushatën më herët, duke mbledhur delegatë të mjaftueshëm për zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor.

Zoti Rubio po pret me padurim datën 15 mars, si një ditë e madhe për fushatën e tij, kur do të zhvillohen votime paraprake në shtetin e tij të lindjes, Florida, që ka një numër të madh delegatësh për të ofruar.

Zoti Cruz po paralajmëron se “treni Trump” mund të bëhet “i pandalshëm” nëse ai fiton ndjeshëm sot. Zoti Cruz u kujton vazhdimisht votuesve se ai është i vetmi kandidat që ka patur mundësinë ta mundë zotin Trump deri tani, si në shtetin Iowa, megjithëse zoti Trump ka fituar në vazhdim në tre shtete të tjera.

Gjatë ditës së djeshme, republikanët e përqëndruan fushatën në jug të SHBA-së, nga ku pritet të dalin dy të tretat e delegatëve të votimit të sotshëm. Zoti Trump mbajti tubime në Virginia dhe në Georgia, ndërsa zoti Rubio bëri fushatë në Arkansas. Zoti Cruz i përqëndroi përpjekjet në shtetin e tij, Teksas, nga ku do të dalin 155 delegatë.

Zonja Clinton, tashmë pothuajse e pozicionuar për një përballje të ardhshme me zotin Trump, ka filluar ta sulmojë atë dhe kandidatët e tjerë republikanë, duke lënë mënjanë rivalin e saj Bernie Sanders.

Zonja Clinton u tha votuesve dje në Massachusetts se “nuk mund të lejojmë viktimizimin dhe fajësimin, që po ndodh në kampin republikan. Kjo dëmton vetë thelbin e kombit tonë. Prandaj, do të bëj çfarë të mundem gjatë kësaj fushate për ta ndryshuar kursin.”

XS
SM
MD
LG