Lidhje

Gara presidenciale dhe konfliki në Siri


Njoftimi se Shtetet e Bashkuara për herë të parë do të dislokojnë forca speciale në Siri në mbështetje të luftëtarëve që përballen me militantët e Shtetit Islamik ka shkaktuar debate në Uashington. Kandidatët demokratë dhe republikan që synojnë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017 nuk janë treguar shumë entuziastë për të.

Ndërsa betejat vazhdojnë në Siri, qasja amerikane ndaj konfliktit po debatohet edhe në fushatat për president. Senatori republikan Marco Rubio thotë se ekstremistët e Shtetit Islamik duhen goditur.

“Ose fitojnë ata ose ne. Ata nuk do të ndalen me Sirinë apo Irakun. Këta ekstremistë duhen mundur dhe kjo bëhet duke mos u lënë territor veprimi.”

Ai akuzon presidentin Obama se po shpërdoron sukseset e arritura me vështirësi nga Amerika në botën myslimane.

“Presidenti u zgjodh me premtimet për tëheqje nga konfliktet. U zgjodh duke argumentuar largimin nga Iraku dhe Afganistani”.

Zoti Rubio nuk mbështet një dislokim masiv të ushtrisë amerikane për të luftuar ISIS. Por, thotë ai, Amerika duhet të bëjë më shumë për të angazhuar Lindjen e Mesme në terësi për të luftuar radikalët Sunni. Rekomandimi i tij tingëllon i ngjashëm me atë të kandidatit demokrat Bernie Sanders, i cili druhet se dislokimi i 50 trupave në Siri mund të jetë vetëm fillimi.

“...makthi im është se Shtetet e Bashkuara mund të hyjnë në një konflikt pa fund. Bota duhet të bashkohet për këtë çështje.”

Fushata e kandidates demokrate, Hillary Clonton, publikoi një deklaratë ku thuhet se ajo e shikon elementë pozitivë nga një dislokim i kufizuar në Siri, por kundërshton një luftë në shkallë të gjerë në Lindjen e Mesme. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest:

“Këto forca nuk kanë mision luftarak.”

Shtëpia e Bardhë thekson se roli i tyre është thjesht ndihmës.

“Presidenti pret që ato të kenë ndikim në intensifikimin e strategjisë tonë për ndërtimin e kapaciteteve për forcat lokale brenda Sirisë, që ato të luftojnë përballë militantëve të grupit ISIS në vendin e tyre.”

Zyrtarët e mbrojtjes thonë se trupat amerikane do të futen në Siri gjatë javëve që pasojnë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG