Lidhje

SHBA, tensione mes policisë dhe protestuesve


Guvernatori i Karolinës së Veriut ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në qytetin e Charlotte ndërkohë që protestuesit u mblodhën përsëri mbrëmë si reagim ndaj vrasjes nga policia të një afrikano-amerikani. Nata që filloi me demonstrata paqësore u shndërrua në dhunë, me përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Policia tha se 43-vjeçari Keith Lamont Scott ishte parë duke dalë me armë nga një makinë të martën në një kompleks apartamentesh, ku oficerët shkuan për të arrestuar një person tjetër. Një polic qëlloi kur Scott nuk i përfilli paralajmërimet për të hedhur armën. Ndërkaq familja Scott thotë se ai kishte në dorë një libër. Dëshmitarët thanë se ai kishte ngritur duart lart.

Kamerat e policisë kanë regjistruar skenën, por videoja nuk është bërë publike. Një zyrtar i policisë tha se ajo nuk do të publikohet pa përfunduar hetimet.

Një protestuesi i paidentifikuar thotë:

"Pse nuk i thoni shefit të policisë të publikojë regjistrimin? Ata na vrasin dhe na qëllojnë. Ku është videoja? Një vëlla i yni vdes në rrugë. Ku është videoja?"

Videot e marra me celular tregonin një protestues të shtrirë në tokë. Zyrtarët e qytetit fillimisht thanë se dikush ishte plagosur rëndë nga një tjetër civil. Policia e qytetit Charlotte tha se katër oficerë ishin lënduar, asnjë prej tyre me rrezik për jetën.

Protestuesi Mike Smith i tha një gazetari se protestat ishin rezultat i tensioneve në rritje.

"Ajo që ndodhi dje padyshim që na preku të gjithëve. Këto kanë qenë tensione të grumbulluara pak nga pak të cilat shpërthyen dje. Pra, ky është rezultati."

Presidenti Barack Obama foli në telefon dje me kryebashkiakët e qyteteve Charlotte dhe Tulsa, Oklahoma, ku të premten e kaluar një oficere e bardhë kishte vrarë një afrikano-amerikan që ngiste makinën.

XS
SM
MD
LG