Lidhje

SHBA për vdekjen e zonjës Thatcher


Personalitete të ndryshme amerikane kanë shprehur reagimet e tyre lidhur me vdekjen e ish kryeministres britanike Margaret Thatcher. Presidenti Barack Obama ishte ndër të parët që komentoi. Përmes një deklarate ai tha se me vdekjen e zonjës Thatcher, Shtetet e Bashkuara humbën një mike.

Politikanët amerikanë, të tashëm dhe të kaluar, i njohin zonjës Thatcher një rol në përpjekjet për t'i dhënë fund Luftës së Ftohtë. Ish Sekretari amerikan i Shtetit, James Baker tha se zonja Thatcher ndërtoi marrëdhënie të ngushta me udhëheqësit perëndimorë për të sjellë ndryshime të rëndësishme në skenën botërore.

"Margaret Thatcher ndryshoi harkun e historisë. Ajo erdhi në fuqi në vitin 1979 si një kryeministre e fuqishme konservatore dhe fitorja e saj ishte e para në një seri fitoresh të konservatorëve në vende të tjera, siç ishte ajo e Ronald Reaganit këtu në SHBA, e Helmut Kohlit në Gjermani apo e Brian Mulroney-t në Kanada. Ajo e ndryshoi harkun e historisë jo vetëm në Britani por edhe në botë."

Colin Powell, ish-Sekretar i Shtetit në Administratën e Presidentit Bush, vlerësoi guximin e zonjës Thatcher për të marrë mbi vete rreziqe dhe aftësinë për të bindur të tjerët për ta ndjekur atë.

"Ishte zonja Thatcher ajo që, kur u takua me Gorbaçovin për herë të parë, iu drejtua udhëheqësve të tjerë perëndimorë me shprehjen e famshme: "Ne mund të punojmë me këtë njeri". Jo çdo udhëheqës do ta kishte hedhur këtë hap me një udhëheqës sovjetik, i cili ishte i ri, energjik dhe mbronte Bashkimin Sovjetik, kur nuk dihej mirë se sa i kalbur ishte sistemi nga brenda. Zonja Thatcher kishte besim, ishte e guximshme, ajo nuk mendoi se Gorbaçovi ishte armik por se me të mund të punohej. Kjo deklaratë e thjeshtë i frymëzoi të gjithë të tjerët dhe shihni rezultatin që solli e gjithë kjo punë: fundin e Bashkimit Sovjetik"

Por në të dy anët e Atlantikut ka patur edhe nga ata që kanë reaguar me kritika lidhur me politikat e zonjës Thatcher për shkurtimet e buxheteve qeveritare dhe uljen e taksave.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG