Lidhje

SHBA: Debati i tretë dhe i fundit presidencial

  • Dan Robinson

Debati i tretë dhe i fundit presidencial, që zhvillohet sonte në Boca Raton të Floridës, do të përqëndrohet në politikën e jashtme, por Lindja e Mesme pritet të mbizotërojë debatin.

Vrasja e amerikanëve në Libi, lufta civile në Siri dhe programi bërthamor të Iranit, këto janë disa tema të debatit të tretë dhe të fundit presidencial, që pritet të shoqërohet me akuza të njëpasnjëshme dhe me diskutimin në hollësi të rolit të Shteteve të Bashkuara në botë.

Presidenti Obama ka theksuar arritjet e administratës së tij, si përfundimin e angazhimit amerikan në Irak, dhe pakësimin e këtij angazhimi në Afganistan, vrasjen e Osama bin-Ladenit dhe dëmtimin e udhëheqjes së al-Qaidës.

Guvernori Romney thotë se po del në pah se politikat e presidentit mbi Lindjen e Mesme kanë qenë të paefektshme. Lidhur me çështje të tjera, si tregtia me Kinën, zoti Romney zotohet të jetë më i ashpër se sa presidenti.

Në debatin e dytë, të dy kandidatët u angazhuan në replika rreth mënyrës se si administrata e trajtoi sulmin kundër konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë.

“Kaluan shumë ditë para se ne të mësonim nëse kishim të bënim me një demonstratë spontane, apo me një sulm terrorist”, tha zoti Romney.

“Një ditë pas sulmit, Guvernator, unë qëndrova në Kopështin e Trëndafilave dhe i thashë popullit amerikan dhe gjithë botës se ne do të mësonim me saktësi se çfarë ndodhi, dhe se ai ishte një akt terrorist”, reagoi Presidenti Obama.

Disa analistë thonë se nuk është ende e qartë se si do të ndryshonte politika e jashtme e zotit Romney nga ajo e Presidentit Obama.

“Zoti Romney, ndërsa ka kritikuar administratën mbi Irakun, Afganistanin ose Iranin, ka paraqitur shumë pak propozime të ndryshme mbi këto çështje të politikës së jashtme dhe arsyeja për këtë është se është e vështirë të gjesh mënyra më të mira për këto rajone”, thotë analisti Daniel Serwer.

Shadi Hamid është drejtor i departamentit të kërkimeve në Qendrën Doha të Institutit Brookings. Ai është i shqetësuar rreth diskutimit mbi periudhën pas Pranverës Arabe dhe mbi rolin amerikan në Lindjen e Mesme.

“Ka patur shumë sulme dhe ekzagjerime rreth kërcënimin islamik pa kuptuar me të vërtetë se cilët janë islamikët dhe pa bërë dallime mes grupeve të ndryshme. Nuk mendoj se kjo është bërë e qartë në debatin publik”.

Fushata presidenciale është përqëndruar kryesisht tek ekonomia, por sidoqoftë zoti Romney mund ta ketë dëmtuar deri diku mbizotërimin e Presidentit Obama në çështjet e politikës së jashtme.

Një anketë opinioni e rrjetit televiziv CNN pas debatit të dytë tregonte se presidenti Obama siguroi një mbështetje pak më të madhe se sa zoti Romney, 49 me 47 për qind, lidhur me pyetjen se cili prej kandidatëve do ta trajtonte më mirë politikën e jashtme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG