Lidhje

Kosova uron presidentin Trump


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nëpërmjet një komunikate për opinion ka uruar Presidentin Trump duke nënvizuar siç tha energjinë dhe pasionin që presidenti Trump ka dëshmuar për përgjegjësinë në krye të shtetit.

“Kosova i ka gjithmonë sytë e drejtuar nga Uashingtoni. Jemi krenarë që ndajmë të njëjtat vlera, përparësi dhe aspirata me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë”, thuhet në urimin e presidentit Thaçi duke nënvizuar se në Kosovë ka konsensus të plotë për miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për marrëdhëniet e përbashkëta të posaçme.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka theksuar se “roli i presidentëve amerikanë ka qenë vital për Kosovën dhe qytetarët e saj, gjatë tri dekadave të fundit. Jam plotësisht i bindur se Presidenti Trump me udhëheqjen e tij, do përkrahë Kosovën në anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe rrumbullakimin e të gjitha elementeve të shtetësisë”, thuhet në urimin e kryeministrit Mustafa, i cili thekson se qeveria dhe populli i Kosovës janë jetësisht të përkushtuar për partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e bartur me krenari epitetin e "popullit më proamerikan në glob”.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar presidentin e ri amerikan për marrjen e detyrës. Nëpërmjet një postimi në Facebook, zoti Haradinaj, i cili ndodhet në Francë në pritje të një procesi gjyqësor, ka shprehur bindjen "se SHBA do të jenë partner strategjik i Kosovës edhe nën udhëheqjen e Presidentit Trump! Unë me zemër sot isha në Uashington, ani se me trup në Francë e në pritje të lirisë që nuk tjetërsohet”.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj në urimin e tij tha se “Presidenti Trump dhe SHBA-të do vazhdojnë ta mbështesin dhe të jenë partner strategjik i Kosovës ashtu siç kanë qenë gjithmonë. Historikisht, për ne Amerika është vendi dhe amerikanët janë populli që vetëm pozitivitet ka ditur të na sjellin në çdo kohë. Kosova do jetë çdo herë mike e mirë e Amerikës”, thuhet në komunikatën e zotit Limaj.

Inaugurimi i Presidentit të 45-të të Shteteve të bashkuara të Amerikës, Dnald Trump është ndjekur me interesim edhe në Kosovë, ku roli i Shteteve të Bashkuara, vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të saj. Institucionet e Kosovës shfaqin shpresën për vazhdimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për proceset e ardhshme politike në Kosovë përfshirë edhe ato të integrimeve euroatlantike.

XS
SM
MD
LG