Lidhje

Zyrtarët amerikanë: Mundet që avioni rus të jetë rrëzuar nga bomba


Kryeministri britanik David Cameron thotë se sipas tij gjasat janë që të ketë qenë një bombë shkaku i rrëzimit të avionit rus në Gadishullin e Sinai të Egjiptit javën e kaluar, ku humbën jetën të 224 personat në bord. Një zyrtar amerikan tha ndërkohë se komunikimet e përgjuara flasin për mundësinë që grupi Shteti Islamik të ketë qenë përgjegjës për rrëzimin e avionit.

Duke komentuar para bisedimeve me presidentin egjiptian Abdel Fatah el-Sissi sot në Londër, zoti Cameron vuri në dukje se ekspertët nuk janë ende të sigurtë për shkakun e rrëzimit.

Zyrtarët egjiptianë dhe rusë kanë thënë se deri tani nuk ka asnjë dëshmi për të arritur në përfundimin se në avion ka patur një bombë.

Një zyrtar amerikan ka thënë se komunikimet e përgjuara tregojnë për mundësinë që përgjegjës për rrëzimin të ketë qenë grupi Shteti Islamik. Edhe Sekretari i Jashtëm britanik Philip Hammond ka thënë se "ekziston një mundësi e madhe që rrëzimi të ketë qenë shkaktuar nga një mjet shpërthyes në bord."

Ashtu si Rusia, edhe Britania ka fluturime të drejtpërdrejta për në Sharm el-Sheik dhe tani po merr masa për të garantuar sigurinë e udhëtarëve të saj.

Patrick McLoughlin, Ministri britanik i Transportit:
"Si masë parandaluese kemi vendosur që fluturimet sonte nga Sharm El Sheikhu për në Britani të vonohen. Kjo do të na japë kohë për të garantuar masat e duhura të sigurisë.”

Shtetet e Bashkuara nuk kanë fluturime të drejtpërdrejta për në zonën e Sinait. Megjithatë vitin e kaluar, autoritetet amerikane kanë paralajmëruar operatorët e aviacionit civil dy herë për të shmangur fluturimet mbi këtë gadishull ose afër tij.

Josh Earnest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë:

"Aeroporti në fjalë në Sharm-el-Sheikh në fakt, nuk është pika e fundit e nisjes për në Shtetet e Bashkuara, qoftë edhe për kompanitë e huaja ajrore që operojnë në Gadishullin e Sinait. Përndryshe me do të kishim vendosur një seri të tërë rregullash sigurie.”

Zoti Earnest tha se Shtetet e Bashkuara nuk “nuk kanë arritur në përfundimin e tyre zyrtar, por nuk e përjashtojnë mundësinë që të ketë patur bombë.”

Ai nuk pranoi të diskutonte për gjetjet e zyrtarëve amerikanë të zbulimit, duke shtuar se “nuk mund të përjashtojmë asgjë, përfshirë mundësinë e një aktiviteti terrorist.”

Ndërkohë, një zëdhënës i Presidentit egjiptian tha se nuk duhen nxjerrë konkluzione të parakohëshme.

Qeveria e Rusisë e ka hedhur poshtë teorinë e bombës, duke thënë se është tepër herët të thuhet se çfarë e shkaktoi rrëzimin. Një zëdhënës i Kremlinit tha sot se çdo përfundim i nxjerrë para se të ketë përfunduar hetimi është "spekulim".

Autoritetet thonë se nuk është gjetur dëshmi e ndonjë sulmi me raketa në kohën e rrëzimit. Kjo lë të hapur mundësinë e një shpërthimi në bord, ose të një problemi mekanik.

Një satelit i ushtrisë amerikane ka zbuluar shkëndija flake në kohën kur avioni u rrëzua mbi Sinai. Por nuk është zbuluar ndonjë motor i djegur rakete dhe nuk është vënë re ndonjë lëshim rakete.

XS
SM
MD
LG