Lidhje

Nënpresidenti Joe Biden viziton Ukrainën


Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ndodhet në Ukrainë për bisedime me zyrtarë të qeverisë për të cilët Rusia pretendon se kanë "shkelur" marrëveshjen e javës së kaluar për uljen e tensioneve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, Scott Stearns njofton se marrëveshja për shmangien e një konflikti më të gjerë është duke u zbehur pasi seperatistët e armatosur pro - rusë nuk kanë treguar shenja të tërheqjes.

Zyrtarët amerikanë thonë se nënpresidenti Biden ndodhet në Kiev për të rritur ndihmën ekonomike dhe politike për autoriteteve në Ukrainë, duke ia bërë të qartë Rusisë se ajo do të përballet me "kosto në rritje" nëse zgjedhë destabilizimin e vazhdueshëm në vend të një kursi më konstruktiv.

Jen Psaki është zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit.

"Ne shpresojmë të shohim ulje të tensioneve gjatë ditëve të ardhshme. Nëse nuk do të ketë përparim, ne mbetemi të përgatitur, së bashku me partnerët tanë evropianë dhe të G7, për të vendosur kosto shtesë ndaj Rusisë. Pra, duhet të merret një vendim lidhur me këtë çështje brenda disa ditësh".

Por Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov thotë se Shtetet e Bashkuara janë ato që duhet të veprojnë më me përgjegjësi në Ukrainë.

“Para se të na japin ultimatum dhe të na kërcënojnë me sanksione, ne do t’u kërkonim partnerëve tanë amerikanë të merrnin përgjegjësitë e tyre të plota për ata që sollën në pushtet dhe të cilët po përpiqen t’i mbrojnë duke bërë një sy qorr për krimet e kryera nga ky regjim dhe luftëtarët tek të cilët ata mbështeten”.

Militantët pro - rusë në disa provinca lindore dhe jugore po i bëjnë thirrje trupave ruse që t’i mbrojnë ata nga qeveria në Kiev ndërkohë që të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e një marrëveshjeje paqeje të arritur javën e kaluar.

Rusia thotë se militantët e Ukrainës që kanë pushtuar ndërtesat qeveritare janë duke operuar të vetëm dhe janë të pavarur nga Moska. Por profesori i Universitetit Amerikan Keith Darden thotë se është e qartë se Rusia mund të bëjë më shumë për të ndihmuar në dhënien fund të konfrontimeve.

"Nëse do të kishte një deklaratë shumë të fortë nga Moska se këto grupe duhet të çarmatosen, duhet të largohen nga ndërtesat qeveritare dhe nuk kanë mbështetjen e Moskës, kjo do të kishte një efekt të fortë mbi situatën në terren. Por kjo nuk po ndodh".

Zoti Lavrov thotë se përpjekjet për të izoluar Rusinë rreth Ukrainës janë "të kota, sepse izolimi i Rusisë është i pamundur ". Megjithatë, analisti Keith Darden beson se sanksionet po funksionojnë.

"Efekti i tyre kryesor është krijimi i pasigurisë. Pasiguria i frikëson investitorët. Në muajt e fundit një sasi e madhe e kapitalit është larguar nga Rusia. Unë mendoj se në qoftë se do të ketë sanksione të reja, edhe nëse ato do të jenë të kufizuara kundër një numri të caktuar individësh apo kompanish, ato do të vazhdojnë të rrisin mundësinë që çdo transaksion biznesi me Federatën Ruse të përballet me sanksione" .

Zoti Darden thotë se gjëja më e rëndësishme që nënpresidenti Biden mund të bëjë në Kiev është përpjekja për të bindur autoritetet ukrainase që të fillojnë bisedimet mbi reformat kushtetuese me përfaqësues nga jugu dhe nga lindja, në një mënyrë që synon uljen e tensioneve para fillimit të zgjedhjeve të muajit të ardhshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG