Lidhje

Biden: SHBA të shqetësuara nga dhuna në Ukrainë


Ndërkohë që numri i të vrarëve në Ukrainë vazhdon të rritet, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur "shqetësim të madh" për dhunën atje dhe i kanë bërë thirrje presidentit Viktor Janukoviç që të ulë tensionet dhe të zhvillojë bisedime të menjëhershme me opozitën. Sipas njoftimeve të fundit të paktën 21 vetë janë vrarë, përfshirë policë dhe civilë në Kiev.

Shtëpia e Bardhë thotë se nënpresidenti Joe Biden ka përdorur fjalë të forta në një bisedë telefonike me presidentin Janukoviç të zhvilluar gjatë ditës në të cilën kryeqyteti ukrainas është përfshirë nga dhuna.

Nënpresidenti Biden ka shprehur "shqetësim të madh" dhe i ka kërkuar presidentit Yanukovych të tërheq forcat qeveritare dhe të ushtrojë përmbajtje maksimale.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara e dënojnë dhunën nga secila palë, Biden tha se qeveria e Ukrainës mban përgjegjësi të veçantë për të uljen e tensioneve.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, Nënpresidenti Biden nënvizoi nevojën "urgjente për dialog të menjëhershëm me udhëheqësit e opozitës për të trajtuar shqetësimet legjitime të protestuesve dhe për të dalë me propozime serioze për reforma politike."

Sipas njoftimeve mbrëmë dhuna në rritje mes protestuesve dhe policisë në Kiev ka shkaktuar viktima në mesin e civilëve dhe policisë.

Kjo është dhuna më rëndë që kur protestuesit filluan të bëjnë thirrje për largimin e presidentit Janukoviç, pasi ai vendosi të heq dorë nga nënshkrimi i një marrëveshjeje tregtare me Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë.

Më herët, Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga dhuna dhe raportet për grumbullimin e policisë së armatosur pranë Sheshit të Pavarësisë, në kampin kryesor të protestuesve.

"Forca nuk do të zgjidhë krizën. Për të rivendosur paqen dhe stabilitetin ne i bëjmë thirrje Presidentit Yanukovych që të ulë tensionet menjëherë dhe t’i jap fund konfrontimit në Sheshin e Pavarësisë. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje atij të rifillojë dialogun me udhëheqësit e opozitës sot për të arritur një konsensus për të ardhmen e Ukrainës."

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë të publikuar dje mbi bisedën e Nënpresidentit Biden me Presidentin ukrainas, thuhet se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në mbështetjen e përpjekjeve për të nxitur një zgjidhje paqësore të krizës që pasqyron vullnetin dhe aspiratat e popullit të Ukrainës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev ka publikuar në faqen e saj të internetit të dhënat më të fundit mbi dhunën në Ukrainë, duke i këshilluar të gjithë shtetasit amerikanë në këtë vend që të tregohen të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në banesat e tyre.

Ambasada i ka këshilluar qytetarët amerikanë që të shmangin të gjitha protestat dhe tubimet e mëdha, duke thënë se situata në Ukrainë është "e paparashikueshme dhe mund të ndryshojë shpejt."
XS
SM
MD
LG