Lidhje

SHBA godet në Jemen si kundërpërgjigje ndaj sulmit me raketa


Ushtria amerikane tha të enjten se ka goditur tri vendndodhje radarësh në Jemen, si kundërpërgjigje ndaj sulmit me raketa nga territoret e kontrolluara nga kryengritësit houthi, që kishin vënë nën shënjestër një luftanije amerikane.

Zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook, i përshkroi goditjet si "vetëmbrojtje" të personelit dhe anijeve amerikane.

"Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen ndaj çdo kërcënimi të mëtejshëm ndaj anijeve tona dhe trafikut tregtar, sipas nevojës dhe do të vazhdojë të mbrojë lirinë e lundrimit në Detin e Kuq, në Bab el-Mandeb, dhe kudo nëpër botë", tha ai.

Autoritetet thanë të mërkurën se një raketë është hedhur në Detin e Kuq duke vënë nën shënjestër luftanijen USS Mason, por dështoi ta godas atë, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar që nuk deshi të identifikohej.

Raketa, e dyta gjatë katër ditëve, ishte hedhur nga zonat e kontrolluara nga houthit në jug të Al Hudaydah.

Kryengritësit houthi në Jemen, mohuan çdo përfshirje në sulmin kundër luftanijes Mason.

Të mërkurën ishte përvjetori i 16-të i sulmit terrorist në Jemen që vrau 17 marinarë amerikanë në luftanijen USS Cole në portin e Adenit. Al-Qaida mori përgjegjësinë për sulmin e vitit 2000 dhe gjykatat amerikane e mbajtën përgjegjëse qeverinë e Sudanit. Mbi 13 milionë dollarë të pasurive të ngrira sudaneze u shpërndanë për të kompensuar të afërmit e viktimave.

XS
SM
MD
LG