Lidhje

SHBA: Gjykata e Lartë shqyrton abortin


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara javën e kaluar dëgjoi argumentet mbi çështjen e abortit, rasti më i madh për këtë çështje që shqyrton gjykata në pothuajse një dekadë. Vendimi për këtë çështje mund të ketë ndikim mbi miliona gra. Gjykata po përpiqet të vendosë se deri në çfarë mase shtetet e veçanta mund të vendosin kufizime ndaj shërbimeve të abortit. Seanca tërhoqi një turmë të madhe njerëzish jashtë ndërtesës së gjykatës.

Debati për abortin u rindez në Gjykatën e Lartë, kur palët paraqitën mendimet e tyre mbi këtë çështje.

Dazon Dixon -Diallo, mbështetës i të drejtave të abortit

"Disa njerëz përdorin fenë dhe praktikat individuale për të kontrolluar jetën dhe trupat e njerëzve të tjerë, dhe unë mendoj se ky është një mashtrim", thotë Dazon Dixon -Diallo, mbështetës i të drejtave të abortit.

"Po flasim për gati 60 milionë amerikanë, të cilëve u është marrë jeta padrejtësisht", thotë Lise Baur, kundërshtare e të drejtave të abortit.

Gjykatësit po shqyrtojnë çështjen nëse një ligji, i cili rregullon klinikat e abortit në Teksas, pengon të drejtën kushtetuese të gruas për abort. Gjykata e Lartë e legalizoi abortin në vitin 1973 në rastin e quajtur Roe kundër Wade.

Por që atëherë, shumë shtete, të kontrolluara kryesisht nga republikanët, janë përpjekur të kufizojnë numrin e aborteve aty ku kanë mundur duke shtrënguar standardet për klinikat dhe mjekët të cilët punojnë në to.

Ligji i vitit 2013 në Teksas u kërkon të gjitha klinikave në shtet që të përmbushin standartet për "qendra ambulatore kirurgjikale", një investim i kushtueshëm për këto klinika. Ligji gjithashtu kërkon që mjekët që kryejnë aborte të kenë privilegje që pranohen nga spitalet e afërta.

Këto dy nene të ligjit kanë detyruar mbylljen e shumë klinikave.

Amy Hagstrom Miller ka paditur shtetin për këtë ligj.

"Këto ligje, nuk marrin parasysh shëndetin dhe sigurinë e grave. Këto ligje u kanë shkaktuar vështirësi grave duke detyruar shumë prej tyre që të qëndrojnë shtatzënë për një kohë më të gjatë dhe të përpiqen të bëjnë vetë abortin”.

Ligji i Teksasit është kopjuar nga shtetet e tjera, si pjesë e një vale kufizimesh shtetërore ndaj abortit të miratuara në vitet e fundit.

Scott Keller, i cili mbrojti ligjin e Teksasit para gjykatës, tha se ligji ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të grave.

"Në këtë rast çështja është se a mundet shteti i Teksaist të miratojë rregullore të vlefshme për pacientin dhe për të përmirësuar sigurinë. Dhe kur mbi 210 femra në vit shtrohen në spitale për shkak të aborteve, Teksasi mund ta bëj këtë".

Aktivistja kundër abortit, Elizabeth Graham thotë se çështja nuk ka të bëjë me mbylljen klinikave të abortit.

"Ne nuk duam që gratë të ndjehen se aborti është opsioni i tyre i vetëm kur ato marrin këtë vendim tragjik. Të paktën ato duhet të kenë pritshmërinë për një kujdes shëndetësorë të mirë, e jo një viktimizim apo gjymtim të mëtejshëm nga procedura mjekësore në klinika me standarte të ulëta".

Por administratorët e klinikave thonë se abortet janë më të sigurta se sa shumë procedura të tjera mjekësore që janë më pak të rregulluara.

Rasti vjen pas vdekjes së papritur të gjykatësit konservator, Antonin Scalia, i cili ishte një kundërshtar i abortit. Vdekja e tij e ka lënë të ndarë gjykatën 9 anëtarëshe me 4 gjykatës konservatorë dhe 4 liberalë.

Nëse Gjykata e Lartë nuk arrin të vendosë, vendim i një gjykate më të ulët në favor të ligjit të Teksasit do të mbetet në fuqi.

XS
SM
MD
LG