Lidhje

SHBA, incident me armë zjarri: vriten 3 policë


Zyrtarët në Baton Rouge të shtetit Luiziana njoftuan se janë qëlluar me armë disa policë: 3 prej tyre kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është në gjendje të rëndë në spital, pasi të paktën një person i armatosur i veshur me të zeza dhe me maskë ka hapur zjarr me pushkë.

Një zëdhënës i policisë tha se një prej të dyshuarve është vrarë dhe po zhvillohen kërkime për të dyshuar të tjerë, që mendohet të jenë në gjendje të lirë.

Shtëpia e Bardhë thotë se zyrtarët kanë njoftuar Presidentin Obama për incidentin dhe se autoriteteve lokale u janë dërguar përforcime të tjera.

Guvernatori i Luizianës, John Bel Edwards, e cilësoi incidentin e sotëm "një sulm të papërshkrueshëm dhe të pajustifikueshëm ndaj të gjithëve ne në një kohë kur kemi nevojë për unitet dhe shërim."

Në Baton Rouge pati një tjetër inrident me armë zjarri më fillim të muajit, kur disa policë vranë një afrikano-amerikan.

Alton Sterling u vra më 5 korrik, ndërsa po shiste CD jashtë një dyqani. Momenti i vrasjes së tij u regjistrua me një telefon celular dhe qarkulloi në mediat sociale.

Vrasja e Sterling, krahas me vrasjen e një afrikano-amerikani në shtetin e Minesotës, shkaktoi protesta lidhur me trajtimin e pakicave nga zyrtarët e ligjit.

Në njërën prej këtyre protestave një snajper afrikano-amerikan qëlloi me armë zjarri, duke vrarë pesë policë të bardhë në Dallas të Teksasit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG