Lidhje

SHBA, arrihet marrëveshje dypartiake për buxhetin


Një grup i ligjvënësve amerikanë ka arritur një marrëveshje dypartiake mbi nivelin e shpenzimeve federale për një periudhë dy-vjeçare që do të shmangte një tjetër mbyllje të qeverisë, nëse ajo miratohet nga Kongresi dhe nënshkruhet nga Presidenti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman njofton se marrëveshja pakëson masat shtrënguese buxhetore, por nuk i zgjidh problemet afatgjata fiskale të Amerikës.

Marrëveshja e njoftuar mbrëmë përbën një kompromis në mes të vizioneve të ndryshme buxhetore të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët dhe Senatit të kontrolluar nga demokratët. Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetin, Paul Ryan e përshëndeti marrëveshjen në një konferencë shtypi në ndërtesën e Kongresit.

"Kjo marrëveshje shmang skenarin e mbylljes së qeverisë në janar dhe lëvizjen nga kriza në krizë."

Marrëveshja do të rrisi shpenzimet qeveritare në vitet 2014 dhe 2015 mbi nivelet e masave shtrënguese sipas ligjit aktual, duke mbrojtur shumë programe të brendshme dhe ushtarake nga shkurtimet e mëtejshme automatike buxhetore që do të hynin në fuqi në mungesë të një marrëveshjeje. Shtimi i shpenzimeve ishte objektiv kyç i Kryetares së Komisionit të Senatit për Buxhetin, senatores Patty Murray.

"Marrëveshja i jep përparësi vendeve të punës dhe rritjes ekonomike duke anuluar shkurtimet e dëmshme automatike në arsim, kërkime mjekësore, investimet në infrastrukturë dhe vendet e punës në sektorin e mbrojtjes për dy vitet e ardhshme."

Marrëveshja i kompenson shpenzimet e larta me një numër kursimesh dhe krijimin e të ardhurave buxhetore, duke përfshirë rritjen e kontributit të punonjësve federalë për programet e tyre të pensioneve. Rezultati përfundimtar, sipas republikanit Paul Ryan, është një pakësim më i madh i deficitit në krahasim me shkurtimet automatike.

"Ky projekt-ligj e pakëson deficitin për 23 miliardë dollarë pa i rritur rritur taksat. Ky projekt-ligj i ul shpenzimet në një mënyrë të shkathët."

Marrëveshja nuk trajton kërkesën kyçe të demokratëve për zgjatjen e masës për të ndihmuar të papunët. Marëveshja nuk trajton as thirrjen e republikanëve për reforma në programet e kushtueshme që sigurojnë të ardhura dhe kujdes shëndetësor për pensionistët. Por ajo ka arritur diçka tjetër, sipas demokrates Patty Murray.

"Kjo marrëveshje nuk i zgjidh të gjitha problemet tona. Por unë mendoj se është një hap i rëndësishëm për të ndihmuar në shërimin e disa plagëve këtu në Kongres. Pra kjo ndihmon në rindërtimin e besimit, dhe tregon se ne mund të bëjmë diçka pa patur nevojë të presim deri në momentet e fundit kur na afrohet një krizë."

Shtëpia e Bardhë publikoi një deklaratë të Presidenti Barak Obama në të cilën marrëveshja përshkruhet si "një hap i parë i mirë" për trajtimin e sfidave fiskale të Amerikës.

Nëse miratohet, marrëveshja do t’i japë Uashingtonit një pushim dy-vjeçar nga luftërat partiake buxhetore që kanë konsumuar Kongresin në vitet e fundit. Marrëveshja pritet të hidhet për votim në Dhomën e Përfqësuesve nga fundi i javës që do të pasohet nga një votim në Senat
XS
SM
MD
LG