Lidhje

SHBA: Shanset e kandidatëve që mbështesin çështjen shqiptare në zgjedhjet për Kongresin

  • Keida Kostreci

SHBA: Shanset e kandidatëve që mbështesin çështjen shqiptare në zgjedhjet për Kongresin

SHBA: Shanset e kandidatëve që mbështesin çështjen shqiptare në zgjedhjet për Kongresin

Me afrimin e 2 nëntorit, fushata është intensifikuar çdo ditë e më shumë dhe një nga garat më të forta është ajo e shtetit të Ilinoit, për vendin e senatit që ka pasur Presidenti Obama. Kandidati republikan për këtë vend, është bashkëkryetari i Grupit të Çështjeve shqiptare në Kongres, Mark Kërk. Zoti Obama ka mbështetur me forcë rivalin e tij, demokratin Aleksi Xhanulias, duke u shfaqur edhe në një reklamë televizive në mbështetje të tij, së bashku me Zonjën e Parë, Mishelë Obama.

Rëndësia e kësaj gare nuk është vetëm simbolike për demokratët. Ajo mund të jetë një prej garave përcaktuese për kontrollin e Senatit. Sipas disa sondazheve të fundit, kongresmeni Kërk kryeson me një diferencë prej 2.8 për qind. Si bashkëkryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongres, ai ka rëndësi të veçantë për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Ligjvënësi Kërk e ka akuzuar rivalin e tij për përfshirje në një bankë që ka qenë pronë e të atit, ndërsa vetë ai është kritikuar se ka ekzagjeruar rolin e tij në shërbimin ushtarak, pjesë e të cilit ka qenë edhe pjesëmarrja në ndërhyrjen amerikane në Kosovë në vitin 1999.

“Unë jam shumë krenar për biznesin e babait tim”, tha zoti Xhanulias në një nga debatet zgjedhore me zotin Kërk.

“Jam shumë krenar për faktin që ai erdhi në këtë vend dhe ka ndihmuar mijëra njerëz që të realizojnë ëndrrën amerikane duke i ndihmuar që të blejnë shtëpinë e tyre të parë, të hapin biznesin e parë”.

Zoti Kërk iu përgjigj menjëherë duke mbrojtur rolin e tij në ushtrinë amerikane.

“Ironia është se një njeri që e mbështet pjesën më të madhe të fushatës duke kritikuar historinë time ushtarake, vetë nuk ka shërbyer asnjë ditë në uniformë...”, tha ai.

Gara e Ilinoit personifikon edhe zgjedhjen me të cilën përballen shumë votues shqiptaro-amerikanë, siç shpjegon Ilir Zherka, një aktivist i njohur shqiptaro-amerikan dhe Drejtor Ekzekutiv i organizatës DCVote në Uashington.

“Si shqiptaro-amerikan unë e mbështes Mark Kërkun dhe ato që ka bërë, por si demokrat unë mbështes kundërshtarin e tij, sepse mendoj se domokratët në përgjithësi i shërbejnë më mirë vendit. Gjithsesi Mark Kërk është kandidat shumë i mirë”, thotë zoti Zherka.

Ndërsa ai flet nga pozita e demokratit, pohimi i tij reflekton një prirje ende mbizotëruese në komunitetin shqiptaro-amerikan.

“Mendoj se shqiptarët e ndajnë mbështetjen mes republikanëve dhe demokratëve dhe në disa raste përkrahin kandidatë demokratë dhe republikanë në të njëjtat zgjedhje, nisur nga përshtypjet e tyre për mbështetjen e çështjeve shqiptare nga kandidatët”.

Kandidatë të tillë, përveç ligjvënësit Kërk, janë kongresmeni demokrat Eliot Engel në Nju Jork – bashkëkryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongres, të cilin ai e ka themeluar – dhe Xho Dioguardi, kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, që po konkurron për senatin po nga Nju Jorku si republikan.

Sipas sondazheve, mendimeve të ekspertëve, mbledhjes së fondeve dhe historisë së votimit në të kaluarën në distriktin ku konkurron ligjvënësi Engel, ai e ka pothuajse të sigurt fitoren ndaj republikanit Toni Mele.

Shqiptaro-amerikanët e kanë mbështetur gjithmonë kongresmenin, dhe gazeta Iliria shprehet se asnjë politikan në Kongresin amerikan nuk ka qenë më pranë komunitetit-shqiptaro amerikan sesa Eliot Engel.

Mbështetja për të dhe për Xho Dioguardin e nxjerr në pah qartë sesa ndikon lidhja me çështjen shqiptare tek vota e komunitetit, duke pasur parasysh kontrastin e pikëpamjeve dhe platformave të tyre politike. Zoti Engel mbështet fuqimisht politikat e brendshme dhe reformat e Presidentit Obama.

Ndërsa Xho Dio Guardi, jo vetëm që është republikan por gëzon mbështetjen e lëvizjes konservatore Tea Party. Ai përdor edhe përvojën e babait të tij që erdhi si adoleshent në Amerikë, si argument për të kundërshtuar politikat e administratës së Presidentin Obama.

“Ai fliste shqip dhe italisht, por asnjë fjalë anglisht. Nuk erdhi përmes ndonjë programi qeveritar. Ky është problemi. Ne po heqim dorë nga ëndrra amerikane. Qeveria federale po bëhet shumë e madhe, po shpërdoron dhe po u heq mundësinë amerikanëve të thjeshtë, biznesit të vogël”, tha zoti Dioguardi në një nga aktivitetet e tij të fushatës.

Sondazhet tregojnë se mes tij dhe rivales së tij demokrate, ka një diferencë të konsiderueshme në favor të demokrates. DioGuardi po lufton për të marrë vendin e senatit nga Kërsten Xhillibrend, e cila zëvendësoi Hillari Klintonin kur ajo mori detyrën e Sekretares së Shtetit. Por fakti që zonja Xhillibrend pason një demokrate, e cila gëzon një mbështetje të jashtëzakonshme në komunitetin shqiptaro-amerikan, nuk siguron automatikisht mbështetjen e shqiptaro-amerikanëve.

Zoti Zherka, që ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, thotë se prirja e shqiptaro-amerikanëve për të votuar bazuar tek politika e kandidatëve lidhur me vendet e origjinës, po ndryshon gradualisht. Ai përmend mbështetjen për Bill Klintonin në vitin 1996, megjithëse Bob Dole ishte shumë i njohur për çështjen shqiptare.

“Kjo u pa edhe kur u mbështet Barak Obama dhe jo Xhon Mekein, i cili shihet në komunitetin si dikush që mbështet pozicionin e shqiptarëve. Megjithatë shumë shqiptarë mbështetën Barak Obamën”.

Por dy vjet pas zgjedhjes së zotit Obama, partia demokrate ndodhet para humbjes së pritshme të kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve e ndoshta edhe Senatit.

Të dyja partitë kanë hyrë në fazën e ethshme të fundit të fushatës për të siguruar sa më shumë vota më 2 nëntor. Zoti Zherka thotë se kompromisi është e vetmja rrugë për të realizuar reformat që ka si synim presidenti Obama.

“Që kjo të realizohet duhet të ndodhin dy gjëra: Së pari nuk duhet pritur e pamundura dhe e dyta të gjitha palët duhet bien dakord që të arrijnë kompromis”.

Sipas sondazheve dhe analistëve politikë, shumë amerikanë, sidomos grupet e pavarura janë zhgënjyer nga ritmi i reformave, por Presidenti Obama tha në një intervistë se ai nuk kishte premtuar që ndryshimi do të vinte menjëherë.

“Kur ne premtuam gjatë fushatës ‘ndryshim tek i cili mund të besoni’, nuk e kishin fjalën ‘ndryshim tek i cili mund të besoni pas 18 muajsh’. Ishte një premtim i vërtetë por na duhet të punojmë për të”, tha Presidenti Obama.

XS
SM
MD
LG