Lidhje

SHBA, shtohen përpjekjet kundër Ebolës

  • Chris Simkins

Kreu i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Dr. Tom Frieden tha sot se është i bindur se nuk do të ketë një epidemi të Ebolës në Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë për televizionin NBC, Dr. Frieden tha se masat e kontrollit të infeksionit në spitalet e Shteteve të Bashkuara dhe ato të shëndetit publik, nuk do të lejojnë përhapjen e gjerë të sëmundjes.

Liberiani Thomas Duncan, pacienti i parë i diagnostikuar me Ebola në Shtetet e Bashkuara, është në gjendje kritike në një spital të Dallasit në Teksas. Ndërkohë zyrtarët amerikanë të shëndetësisë vazhdojnë të zgjerojnë infrastrukturën mjekësore në mbarë vendin për t’u marrë me testimet për virusin e Ebolës.

Pacienti i infektuar me Ebolën, Thomas Eric Duncan është ende duke luftuar me vdekjen brenda këtij spitali të Dallasit. Zyrtarët lokalë të shëndetësisë janë kritikuar për përgjigjen e vonuar ndaj rastit të parë të konfirmuar të virusit vdekjeprurës brenda Amerikës. Autoritetet e Teksasit thonë se ata kanë ulur numrin e njerëzve që po vëzhgohen për simptoma të Ebolës.

"Nga një listë me 100 njerëz që vëzhgoheshin për infektim të mundshëm me virusin tani kemi arritur në një listë me 50 dhe pastaj 10 njerëz qe ne po i monitorojmë në mënyrë aktive".

Autoritetet shëndetësore lëvizën të dashurën e zotit Duncan dhe familjen e saj nga banesa ku ata jetonin në një banesë private, ku ata do të vazhdojnë të jenë në izolim. Pas kritikave disa ditëshe mbi vonesat në dizinfektimin e banesës, ekspertët e lëvizjes së materialieve të rrezikshme pastruan banesën e të dashurës së zotit Duncan. Disa njerëz nga komuniteti, si punonjësit e spitalit të cilët kishin patur kontakt me zotin Duncan, janë ende të shqetësuar.

"Bashkëshortja ime më tha se ne jemi 99 përqind të sigurt nga virusi, por ai një përqindshi i panjohur na frikëson".

Deri më tani Ebola, që filloi të përhapet në Afrikën Perëndimore, ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 3,400 personave që nga marsi. Por zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane thonë se shanset e përhapjes së kësaj sëmundje në Shtetet e Bashkuara janë shumë të ulëta. Dr. Anthony Fauci i Institutit Kombëtar të Shëndetit thotë se Shtetet e Bashkuara kanë procedura shumë të mira në vend për të parandaluar epideminë e Ebolës.

"Megjithëse masat kundër kësaj sëmundje janë perceptuar nga njerëzit si të lëkundura, arsyeja që unë kam thënë se nuk do të ketë një shpërthim të sëmudjes këtu është për shkak të asaj që po ndodh tani".

Zyrtarët amerikanë të Shëndetësisë vazhdojnë të monitorojnë rastet e tjera të mundshme. Ndërkohë administrata e Presidentit Obama po shqyrton dërgimin e deri në 4,000 trupave në Afrikën Perëndimore për të ndihmuar në përpjekjet për të vënë nën kontroll përhapjen e Ebolës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG