Lidhje

SHBA: Demokratët në betejë për të nxitur votimin në zgjedhje

  • Laurel Bowman

SHBA: Demokratët në betejë për të nxitur votimin në zgjedhje

SHBA: Demokratët në betejë për të nxitur votimin në zgjedhje

Emri i presidentit Barak Obama nuk është në fletët e votimit të 2 nëntorit. Por kontrolli në kongres i partisë së tij demokrate është në pikëpyetje ashtu si edhe drejtimi i disa shteteve. Në se demokratët nuk fitojnë, zoti Obama mund ta gjejë veten me demokratët në pakicë, dy vjet para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Zëvendës guvernatori i Merilendit Anthony Brown e kalon ditën, zakonisht duke punuar për politikat e kujdesit shëndetësor apo reformën në arsim.
Por qysh nga gushti, zoti Brown ka filluar të ndalojë në stacionet e metrosë, për të shpërndarë fletushka të partisë demokrate dhe për t’u bërë thirrje njerëzve të përgatiten të votojnë për zgjedhjet e nëntorit.

“Këto janë zgjedhje të rëndësishme, edhe pse presidenti Obama nuk është në fletët e votimit. Ato janë të rëndësishme pasi presidenti Obama ka partnerë në qeveritë shtetërore që do të mundësojnë përparimin e programeve të tij.”

Presidenti Barack Obama nuk do të jetë në garë deri në vitin 2012. Por shumë nga programet e tij janë në pikëpyetje me republikanët që janë gati për të rimarrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të shtojnë vendet në Senat si dhe në garat për guvernatorë në mbarë vendin.
Duke bërë fushatë për demokratët në Kaliforni javën e kaluar, zoti Obama zgjodhi yje të rrokut dhe figura të tjera popullore për të entuziazmuar bazën e tij të votuesve.

“Ata janë bërë gati që ne të humbasim entuziazmin tonë. Por ne nuk mund ta humbasim atë. Ne nuk jemi lodhur.”

Por cilat janaë shqetësimet kryesore të votuesve?

“Për punë... për ekonominë. Troket në derën e komshiut dhe ai të thotë: ti e ke punën tënde, kurse unë dua punë.”

Joseph Eyong imigroi në Shtetet e Bashkuara nga Kameruni dhe është një vullnetar i vjetër i partisë demokrate. Ai iu ofron amerikanëve të tjerë një këshillë: votoni.
Disa hapa larg, Ed Webber po i drejtohet një dyqani me materiale ndërtimi. Ai është demokrat dhe ka votuar për presidentin Obama në vitin 2008.

“Mendova se ai ishte më në fund personi që do të sillte ndryshime.”

Por ai është i zemëruar tani me demokratët.

“Asgjë nga ato që tha nuk ka bërë.”

Kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Legjislacioni i kujdesit shëndetësor është miratuar. Ndërkohë shumë ekonomistë ia atribuojnë zotit Obama nxjerrjen e vendit nga recesioni i thellë.

“Shumë njerëz prisnin që çdo gjë të ndryshonte si me shkop magjik. Është e vështirë për të gjithë ne të vlerësojmë dhe të kuptojmë sa e vështirë është të bësh atë lloj ndryshimi.”

Susan Miller drejton një qendër telefonike në Merilend ku vullnetarët përpiqen të shtyjnë anëtarët demokratë të dalin në votime.
Vullnetarët këtu nuk flasin me votuesit për problemet. Ata u kërkojnë atyre me ngulm të votojnë.
Vullnetari Ronit Dancis ka punuar aty për disa javë.

“Votimi nuk është për të zgjedhur presidentin. Votuesit nuk e shohin qartë rëndësinë e punës që ka për të bërë kongresi. Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati do të përcaktojë projektligjin për energjinë, atë të ambjentit dhe të punësimit – kongresi është dega baraspeshuese e qeverisë.”

Në anën tjetër të qytetit, Norma Korland votoi më herët. Ajo thotë se u qëndroi besnike demokratëve.

“Flokët e thinjura tregojnë se kam jetuar gjatë për të kuptuar se disa gjëra nuk mund të bëhen menjëherë. Nuk është e mundur.”

Por vetëm me disa ditë larg zgjedhjeve, dalja në votim është kryefjala e ditës.

XS
SM
MD
LG