Lidhje

Zgjedhjet në SHBA, mesazhi i të dyja fushatave


Në garat për në Kongres në mbarë Shtetet e Bashkuara, republikanët kanë filluar t’u bëjnë jehonë demokratëve në supozimin se Hillary Clinton do t’i fitojë zgjedhjet.

Fushatat e të dy kandidatëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:33 0:00

Me Donald Trumpin që po radhitet prapa në anketat e opinionit, ligjvënësit republikanë kanë filluar t’u bëjnë thirrje votuesve t’i rizgjedhin për në Kongres në mënyrë që të mbajnë nën kontroll një presidencë të mundshme të Hillary Clintonit. Demokratët ndërkohë argumentojnë se Hillary Clintoni ka nevojë për aleatë në Kongres për të miratuar planet e saj.

Mesazhet e të dyja kampeve ndajnë supozimin se zonja Clinton do të zgjidhet presidente më 8 nëntor. Ligjvënësit republikanë argumentojnë se ka nevojë për një barazpeshë në kongres në se Trumpi humbet dhe po u bëjnë thirrje votuesve t’i rizgjedhin.

Republikanët po sulmojnë përmes reklamave që pothuajse pranojnë se demokratët do ta mbajnë Shtëpinë e Bardhë.

“Fushata e reklamave thotë se partia republikane po e pranon faktin se do të humbasë garën për në Shtëpinë e Bardhë pas dy javësh”, thotë John Hudak me institutin Brookings.

Analistët politikë thonë se republikanët janë në fazë mbijetese, duke shpresuar se një humbje e Trumpit nuk do të jetë një silur për kandidatët e partisë në kongres:

“Shifrat në rënie të Donald Trumpit në anketa kanë filluar të ndikojnë garat për në kongres.”

Ndërsa Trump zakonisht paraqitet në podium vetëm, i shmangur nga ligjvënësit republikanë, kandidatët demokratë për në kongres grumbullohen pranë zonjës Clinton për të fituar vëmendje.

“Është shumë e rëndësishme të zgjedhim Hillary Clintonin dhe demokratët më 8 nëntor”, thotë Maggie Hassan, kandidate demokrate për në Senat.

... dhe një përkrahje i vjen nga vetë Clintoni:

“Ajo që më pëlqen tek Maggie është se është e pavarur, ajo di si të gjejë pika të përbashkëta.”

Presidenti Barack Obama po bën gjithashtu fushatë për demokratët në mbarë vendin duke vënë në lojë mesazhin e republikanëve:

“’Republikanët thonë - Duhet të votoni për ne pasi duhet do të kontrollojmë pushtetin e Hillarit. Ne do të jemi kundërpesha. Jo, jo, jo. Një votë për ta është një vote më shumë për ngërç politik. Ai është argumenti i tyre. Dhe nuk është argumenti i duhur.”

Trump, ndërkohë nuk e fsheh mërzinë me ligjvënësit republikanë:

“Duhet të shkoni të votoni dhe kjo përfshin ndihmën time për të zgjedhur republikanët kudo. Shpresoj që ata të më ndihmonin mua gjithashtu. Do të ishte mirë sikur të na kishin ndihmuar.”

Minimizimi i shanseve të Trumpit për të fituar mund të jetë i rrezikshëm për republikanët:

“Ata janë të bllokuar. Në se largohen nga Trumpi plotësisht, do të zemëronin një grup të rëndësishëm votuesish. Në se nuk largohen plotësisht do të zemëronin një grup tjetër.”

Ndërsa demokratët do të kenë nevojë të marrin 30 vende për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, atyre do t’u duhen 4 vende për të kontrolluar Senatin – nëse Clinton fiton garën për në Shtëpinë e Bardhë, një të ardhme që republikanët duket se po e pranojnë.

Megjithatë, demokratët po u bëjnë thirrje votuesve dhe po i inkurajojnë të shfrytëzojnë votimin e hershëm që ka filluar tashmë në 37 shtete amerikane dhe në Distriktin e Kolumbias, të shqetësuar se deklarata e zotit Trump se zgjedhjet janë të manipuluara, mund të bëjë që shumë njerëz të mos dalin në votime.

Këtë vit votimi i hershëm pritet të kapë një shifër rekord. Deri tani kanë votuar 12.6 milion amerikanë nga gati 146 milionë votues të regjistruar. Pra, gati 10 përqind dhe deri në fund të procesit që përfundon më 3 nëntor, mund të votojnë mes 37 deri në 40 përqind të votuesve. Nga shifrat e votimit të hershëm duket se demokratët janë përpara në disa shtete si Nevada dhe Florida, ndërsa republikanët kanë përmirësuar pozitat e tyre në Iowa dhe Karolinën e Veriut krahasuar me vitin 2012.

Por pavarësisht numrit rekord që pritet në votimet e hershme kjo nuk do të thotë se do të ketë një pjesëmarrje rekord në ditën e votimit, më 8 nëntor.

Pavarësisht anketave që i kanë dhënë avantazh zonjës Clinton, gjithshka do të varet nga pjesmarrja në votime për të siguruar garën për në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG