Lidhje

SHBA, bashkëpunim me vendet e Gjirit Persik


Presidenti Obama i tha partnerëve të Gjirit Persik se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë krahas me ta përballë sulmeve të jashtme dhe do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, kundër kërcënimeve që përfshijnë Iranin dhe ekstremistët e dhunshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Luis Ramirez thotë se kjo siguri erdhi dje, pas takimit të nivelit të lartë të udhëheqësve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, në Camp David pranë Uashingtonit.

Ai u quajt samit, por shumica e gjashtë vendeve të Gjirit që u përfaqësuan, nuk dërguan atje udhëheqësit e tyre, gjë që u interpretua gjerësisht si një qortim ndaj Presidentit Obama – dhe një shenjë e kundërshtimit ndaj marrëveshjes bërthamore që presidenti po kërkon të arrihet me Iranin.


Në fund të ditës dje, Presidenti Obama e quajti takimin një sukses. Mesazhi i tij për partnerët e Gjirit të nervozuar ndaj kërcënimeve të Iranit në rajon:

“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah partnerëve tanë të Gjirit kundër sulmeve të jashtme dhe do të thellojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin që kemi, kur është fjala për shumë sfida që ekzistojnë në rajon.”


Ishte ky mesazhi që donin të dëgjonin udhëheqësit e Gjirit.


Vendet e Gjirit Persik janë të shqetësuara rreth asaj që e shohin si shkëputje të Shteteve të Bashkuara nga rajoni, në një kohë kur Irani është i përfshirë në Jemen dhe Siri dhe kërcënimeve në rritje nga grupet ekstremiste të dhunshme.


Presidenti Obama i quajti bisedimet të sinqerta dhe drejtuesit e Gjirit nuk i fshehën shqetësimet e tyre se një marrëveshje bërthamore që heq sanksionet ekonomike ndaj Iranit mund ta ndihmojë Teheranin të financojë edhe më shumë trazira në rajonin e tyre.

“Një numër i tyre kanë shprehur shqetësimin se me burimet shtesë, që do të vijnë nga pakësimi i sanksioneve, Irani do të mund të kalojë një shumë prej këtyre burimeve në aktivitete edhe më destabilizuese."

Ndërsa ky nuk është një traktat mbrojtjeje, zyrtarët amerikanë thanë se siguria që drejtuesit e Gjirit morën në takim, është më shumë sesa angazhimet e mëdha që Shtetet e Bashkuara kanë me shumicën e partnerëve të tyre. Mes tyre: më shumë stërvitje të përbashkëta, shitje armësh dhe ndihmë për të përmirësuar bashkëpunimin në mbrojtjen nga raketat.

XS
SM
MD
LG