Lidhje

SHBA: Një gjykatë apeli shqyrton imigracionin


Një gjykatë federale apeli në New Orleans do të shqyrtojë sot një çështje lidhur me një urdhër ekzekutiv të Presidentit Barack Obama dhe vendimi i saj do të përcaktojë nëse imigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë apel për status ligjor të përkohshëm.

Një ditë para seancës, grupet e të drejtave të imigracionit mbajtën një takim në Fairfax të Virginias, në rrethinat e Uashingtonit duke kërkuar reforma të përgjithshme për imigracionin.

Anëtari demokratik i Kongresit, Don Beyer foli në mbështetje të urdhrit ekzekutiv të presidentit.

“Republikanët e kritikuan ashpër në Kongres, duke thënë se ishte e paligjshme dhe shkelte Kushtetutën, por e vetmja arsye që Presidenti lëshoi urdhër ekzekutiv ishte sepse Kongresi nuk po refuzonte të vepronte, të bënte punën e tij”.

Presidenti Obama e nxorri urdhrin ekzekutiv në nëntor të vitit të kaluar, duke shmangur deportimin e pesë milion imigrantëve pa dokumenta që plotësonin disa standarte të caktuara por gjykata e ka bllokuar zbatimin e tij sepse Teksasi dhe 25 shtete të tjera ngritën akt-padi kundër tij.

Tani çështjen do ta shqyrtojë gjykata e apelit.

Imigrantë të paligjshëm si Lenka Mendoza, vajza e së cilës ka lindur në Shtetet e Bashkuara kishte shpresë se mund të merrte statusin ligjor të qëndronte në Shtetet e Bashkuara dhe që vajza e saj të mos ndjehej më e frikësuar.

“Ajo ka frikë sepse mendon se policia do të më ndalojë dhe deportojë, prandaj kjo është e rëndësishme për fëmijët e mi”, thotë Mendoza.

Reforma e imigracionit ka qenë një çështje shumë e debatuar në Shtetet e Bashkuara. Megjithëse të dyja palët në debat janë në një mendje se sistemi i imigracionit duhet të reformohet, Kongresi nuk ka miratuar një legjislacioni gjithëpërfshirës të imigracionit.

Kongresmeni Beyer tha se faji është i republikanëve.

“Për fat të keq, republikanët janë pengesa për të bërë atë që duhet. Ata përbjënë shumicën në Kongres prandaj nuk është e lehtë, por gjërat e rëndësishme asnjëhere nuk janë të lehta”.

Megjithatë Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner tha se çështja e imigracionit të paligjshëm dhe rrugët për ta zgjidhur atë janë bërë loja më e madhe politike që ka parë ndonjëherë.

“Nëse duam të zgjidhim çështje si ajo që ndodhi në San Francisco dhe në qytete të tjera, duhet të marrim seriozisht zbatimin e ligjeve që kemi”, tha ai.

Një grua u vra javën e kaluar në San Francisco nga një meksikan që ndodhej në mënyrë të pakligjshme në Shtetet e Bashkuara, pasi ishe deportuar pesë herë. Vdekja e saj ka rizgjuar debatin për zbatimin e rregullave të imigracionit dhe reformën e politikave në këtë drejtim.

“Nëse nuk na pëlqejnë ligjet që kemi, atëherë Kongresi duhet të punojë për ta zgjidhur këtë çështje. Unë do doja që të zgjidhej sa më shpejt”, tha ai.

Zoti Boehner tha se ai shpreson që Dhoma e Përfaqësuesve të veprojë këtë vit.

XS
SM
MD
LG