Lidhje

Çështja e imigracionit në Shtetet e Bashkuara


Qëndrimi i ashpër i presidentit të sapozgjedhur Donald Trump mbi emigracionin dhe plani i tij për të vëzhguar aktivitetet e myslimanëve ka ngjallur shqetësim tek emigrantët në Shteteve e Bashkuara, si dhe revoltë kundër asaj që shumë amerikanë e konsiderojnë nxitje të urrejtjes racore. Që prej fitores së tij, zoti Trump është përpjekur të zbusë disa nga këto shqetësime, duke thënë se vetëm imigrantët pa dokumente dhe me histori kriminale do të deportohen. Zëri i Amerikës bisedoi me një anëtar të Këshillit të zotit Trump për Çështjet e hispanikëve, Luis Quinones, për të sqaruar planin e imigracionit të administratës së ardhshme.Pas sulmeve terroriste të vitit të kaluar në Evropë, zoti Trump kërkuoi të ndalohet përfundimisht hyrja e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara. Ai ka kërkuar gjithashtu që ata që janë në vend të kontrollohen më rreptësisht.

Zoti Quinones i tha Zërit të Amerikës se emigrantët që janë në vend ligjërisht nuk kanë arsye pse të frikësohen, myslimanë apo jo:

“Ne do të fokusohemi tek myslimanët ekstremë të cilët nuk veprojnë sipas fesë së tyre.... Kushdo që dëshiron të bëjë dëm, nuk është i mirëpritur këtu. Çdokush që vjen këtu për të qenë një pjesë integrale e shoqërisë sonë dhe të kontribuojë në shoqërinë tonë, nuk ka absolutisht asnjë arsye për t’u frikësuar – ne nuk përqëndrohemi tek ata”.

Zoti Quinones tha gjithashtu se nuk do të ketë dëbime masive të atyre që punojnë pa dokumente:

“Të vetmit që duhet të frikësohen tani janë kriminelët. Po, ata do të deportohen. Është një shifër masive – 3 milionë a më shumë. Plus, ne do të dëbojmë njerëzit që erdhën me vizë turistike dhe ndenjën më gjatë. Njerëzit që vizitojnë vendin mund të vijnë të kënaqen në Shtetet e Bashkuara, të shohin vendet e bukura që kemi, por nëse ata abuzojnë me vizën e tyre turistike për të qëndruar këtu përgjithmonë, ne nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë” tha zoti Quinones.

Administrata e zotit Trump ka në plan të monitorojë kriminelët dhe të sigurohet që pasi të deportohen, të mos jenë në gjendje të vijnë përsëri në Shtetet e Bashkuara:

“Më 21 janar, një ditë pasi presidenti të bëjë betimin, ne do të kontrollojmë bazat e të dhënave për të gjetur kriminelët, se ku janë ata. Do të punësojmë 7.500 agjentë patrullimi kufitar plus atyre që janë, të cilët do të punojnë edhe në brendësi të vendit. Pra, pasi do t’i identifikojmë ata njerëz, do të fillojmë të kërkojmë për ta deri sa t’i gjejmë, dhe pastaj do t’i deportojmë. Nëse i injorojnë rregullat tona, do të futen në burg” tha ai.

Autoritetet në disa qytete të mëdha të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se qytetet e tyre do të vazhdojnë t’i ofrojnë strehim emigrantëve të paligjshëm. Zoti Quinones tha se zyrtarët që sfidojnë ligjin mund të akuzohen penalisht dhe qytetet e tyre mund të humbasin fonde federale për projekte të rëndësishme.

XS
SM
MD
LG