Lidhje

SHBA, reagime ndaj Strategjisë për Shtetin Islamik


Fjalimi i Presidentit Obama rreth planeve të Shteteve të Bashkuara për “të degraduar dhe shkatërruar” grupimin e njohur si Shteti Islamik u ndoq nga miliona njerëz. Fjalimi u mbajt në një kohë kur amerikanët duken më të gatshëm për të mbështetur një politikë të jashtme më të guximshme dhe më të ashpër.

Fjalë të forta nga Presidenti Barack Obama.

“E di se shumë Amerikanë janë të shqetësuar nga këto kërcënime. Sot, dua ta dini që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po u kundërvihen me forcë dhe vendosmëri.”

Fjalimi dhe strategjia e tij po priten me reagime të ndryshme nga amerikanët.

“Pyes veten nëse prania jonë atje do të ngjallë më shumë anti-amerikanizëm. Si do të jenë gjërat pas 10 vitesh si rezultat i kësaj?”

“Nëse është e nevojshme të jemi atje dhe të bëjmë diçka, atëherë le të veprojmë. Më duket sikur po zvarritemi. Do të doja të tregonim më shumë forcë kur t’i hyjmë kësaj gjëje.”

“Shpresoj që nuk do të na duhet të dërgojmë ushtarë dhe se nuk do të humben jetë. Është tragjedi nëse dikush vdes, por kur ata kanë zgjedhur një kurs vrastar, është përgjegjësia e qeverisë tonë të na mbrojë.”

Me sondazhet që tregojnë rënie, Presidenti gjen mbështetje në rritje për një ndryshim në politikë, thotë Michael O’Hanlon i Institutit Brookings.

“Gradualisht, amerikanët kuptuan se nuk u pëlqente politika e jashtme që ata vetë kishin dashur. Ata duan tani një politikë të jashtme më të vendosur dhe më të suksesshme, dhe zoti Obama po lëviz në atë drejtim.”

Sondazhet tregojnë mbështetje në rritje për një politikë më të guximshme kundër grupimit të njohur si Shteti Islamik.

Një sondazh i gazetës Wall Street Journal dhe rrjetit NBC tregon se 61% e amerikanëve janë në favor të sulmeve ajrore kundër ISIS.

Një sondazh i gazetës Washington Post dhe rrjetit ABC thotë se 71% janë dakord për sulmet ajrore në Irak. Ndërsa 65% janë në favor të sulmeve në Siri.

Një tjetër sondazh i fundit nga firma Pew, tregon se 54% e amerikanëve mendojnë se politika e jashtme e vendit nuk është aq e ashpër sa duhet.

Këto shifra pasqyrojnë reagimin e publikut ndaj pamjeve makabër të ekzekutimit të dy gazetarëve, thotë Karlyn Bowman e Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve.

“Është e qartë se publiku amerikan po reagon ndaj rrezikut të ISIS bazuar në ato që njerëzit po dëgjojnë për këtë organizatë terroriste shumë të rrezikshme. Por, mendoj se ka dhe një ndërgjegjësim që lufta kundër terrorit nuk do të fitohet brenda natës.”

Për Presidentin Obama, rruga është e qartë.

“Siguria jonë varet nga vullneti ynë për të bërë atë që duhet në mbrojtje të këtij vendi dhe në ruajtje të vlerave që ne përfaqësojmë.”

Pikëpyetja me të cilën përballet tani Presidenti është se sa e komplikuar do të jetë përfshirja e Shteteve të Bashkuara në këtë fushatë të zgjatur për shkatërrimin e Shtetit Islamik dhe se sa do të zgjasë mbështetja e publikut amerikan.

XS
SM
MD
LG