Lidhje

SHBA: Përpjekjet e fundit para zgjedhjeve


Në gjithë Shtetet e Bashkuara, kandidatët po bëjnë përpjekjet e fundit për të siguruar mbështetje para zgjedhjeve të nesërme për Kongresin, të cilat do të përcaktojnë se cila parti do të ketë kontrollin e secilës dhomë të Kongresit, gjatë dy viteve të fundit të mandatit të Presidentit Barack Obama. Sondazhet e fundit flasin për një elektorat që duket se anon nga republikanëtm, në orët e fundit të fushatës.

Janë orët e fundit të fushatës për kandidatët që përpiqen të sigurojnë përkrahës dhe të bindin votuesit e pavendosur. Kandidatja për senatore e Xhorxhas, Michelle Nunn është një prej tyre:

“Po i kujtojmë gjithkujt që kanë në dorë të sjellin ndryshim në këto zgjedhje, duke dalë për të votuar”.

Të dyja partitë kanë dërguar emrat më të njohur për fushatë: ish-kandidatët republikanë për president, Mitt Romney dhe John McCain dhe nga ana e demokratëve, ish-Presidenti Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.

Por ajo që bie në sy në shumicën e fushatave të demokratëve është mungesa e Presidentit Obama, mbështetja në rënie e të cilit, i ka bërë ligjvënësit demokratë me pozita delikate, të distancohen nga Shtëpia e Bardhë. Megjithatë, zoti Obama mori pjesë në një tubim fushate në Miçigan, javën e kaluar:

“Dua t’ju them se pse duhet të votoni. Vendi ka shënuar përparim të konsiderueshëm që nga kriza më e rëndë ekonomike e kohës sonë. Gjatë këtyre katër vjetëve e gjysmë, kemi parë që bizneset amerikane kanë krijuar mbi 10 milionë vende të reja pune. Gjatë gjashtë muajve të fundit, ekonomia jonë është rritur me ritmin më të shpejtë në mbi 10 vjet”.

Ja ç’thotë analisti politik, Norm Ornstein.

“Barack Obama e gjen veten në të njëjtën pozitë që ishte ish-Presidenti George W. Bush para gjashtë vjetësh. Për shumë nga kandidatët e partisë së tij, ai është i padëshiruar, përveçse kur grumbullon fonde. Ata nuk duan të shfaqen përkrah tij”.

Repulikanët nga ana tjetër, e vënë theksin pikërisht tek lidhjet e kundërshtarëve të tyre demokratë me presidentin. Ja ç’thotë kandidati për senatin nga New Hampshire, Scott Brown:

“Programi i dyshes Obama-Shaheen përfundon tani, këtu”.

Republikanët pritet gjerësisht të ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Në senat, atyre u duhet të fitojnë edhe gjashtë vende të tjera për të marrë kontrollin nga demokratët:

“Kemi një ide mjaft të qartë se prirja e tanishme favorizon Partinë Republikane. Partia që nuk ka presidentin, del mirë në zgjedhjet në mes të mandatit. Është e vështirë për demokratët. Ka një rrugë për ruajtjen e shumicës në senat, por republikanët kanë shumë rrugë për ta fituar atë”.

Demokratët thonë se kanë ndërmarrë një përpjekje masive për mobilizimin e votuesve që ata thonë se do të provojë se anketat e kanë gabim. Ndërsa republikanët janë gjithnjë e më të bindur se do të fitojnë nesër. Por si gjithmonë, fjala e fundit u takon votuesve.

XS
SM
MD
LG