Lidhje

Atletët amerikanë do të stërviten larg Londrës

  • Al Pessin

Ekipi olimpik amerikan do të vendoset 200 kilometra në veri, në qytetin e Birmingamit

Më shumë se 200 ekipe olimpike do të shkojnë këtë verë në Londër, ku do të konkurrojnë për medalje në dhjetra aktivitete sportive. Qyteti do të mbushet me atletë, tifozë, zyrtarë dhe personalitete. Por ekipi i atletikës i Shteteve të Bashkuara do të shmangë turmat dhe presionin e qytetit pritës, duke u vendosur 200 kilometra në veri, në qytetin e Birmingamit.

Londra, zakonisht e mbushur me njerëz, do të ketë edhe më shumë njerëz gjatë Lojërave Olimpike.

Por ekipi i atletikës i Shteteve të Bashkuara do të qëndrojnë në rrethinat e qeta të Birminghamit, duke iu përshtatur ndryshimit të orarit dhe duke u përpjekur të shmangë presionin para fillimit të turneut, ndërkohë që zhvillojnë stërvitjen e tyre përfundimtare.

Kryetari i Këshillit Lokal të Birminghamit Mike Whitby realizoi marrëveshjen për të sjellë në qytetin e tij ekipet e SHBA-së dhe Xhamajkës, duke sjellë gjithashtu, siç thotë ai, një rritje të biznesit prej më shumë se 30 milionë dollarë.

"Këtu ndodhemi në vendin ku do të stërvitet ekipi olimpik amerikan. Ky është stadiumi Alexander. Unë investova shumë miliona sterlina për përmirësimin e stadiumit. Kemi nxjerrë sërish pistën. Në fakt, e kemi rregulluar pistën në mënyrë që ajo të pasqyrojë tërësisht atë në të cilën ata do të konkurrojnë në Londër."

Atletët amerikanë që erdhën në Birmingam për një takim në muajin shkurt ishin të kënaqur me planin. Ja si u shprehen dy prej tyre.

"Mendoj se është shumë mirë, veçanërisht për vrapuesit e distancave të mesme, sepse pista ka shumë korsi. Njerëzit flasin anglisht. Moti është i mirë."

"Unë isha i pranishëm kur ekspertët erdhën këtu për të vlerësuar vendin. Ne, vrapuesit në distancë, kemi nevojë për tokë, për terren në të cilin mund të vrapohet për një kohë të gjatë. Birminghami ta ofron një gjë të tillë."

Qyteti i Birminghamit ka një histori të pasur sportive, dhe ka shumë objekte të cilat ekipet olimpike vizituese mund të përdorin.

Presidentja e skuadrës së atletikës së SHBA-së, ish-atletja Stephanie Hightower, thotë se Birminghami ofron gjithashtu një atmosferë që do të ndihmojë ekipin e saj të çlodhet dhe të bëhet gati për të konkurruar.

"Sa herë që shkojmë në një vend tjetër, duam të jemi në gjendje të krijojmë një ‘shtëpi larg shtëpisë.’ Por, shpesh herë, nuk na jepet kjo mundësi. Ndërsa qyteti i Birmingamit, me multi-kulturalizmin e tij, përfaqëson mjaft mirë imazhin dhe ndjesitë e ekipit tonë".

Megjithatë, ekziston një aspekt negativ lidhur me vendosjen e ekipit në Birmingham. Qyteti është një orë e gjysmë larg nga Londra, edhe nëse udhëtohet me trenat më të shpejtë.

Atletëve do t’u duhet të udhëtojnë për në Qendrën Olimpike gjatë disa ditëve para konkurrimit, por zyrtarët e ekipit nuk duan që ata të kalojnë shumë kohë në udhëtim, ose duke u shqetësuar për oraret.

"Është e qartë, që ata e morën parasysh këtë gjë dhe nuk e panë si një problem. Përkundrazi, ata duan të jenë larg nga zhurmat e kryeqytetit, në mënyrë që të përqendrohen tek numri i medaljeve të arta që ata duan të fitojnë."

Atletët olimpikë do të shikohen nga miliona njerëz në mbarë botën. Por ekipi olimpik amerikan do të bëjë përgatitjet e veta përfundimtare krejtësisht jashtë qendrës së vëmendjes, në një mjedis të qetë 200 kilometra larg.

XS
SM
MD
LG