Lidhje

SHBA: Intensifikohet fushata presidenciale


Në SHBA, gara presidenciale është intensifikuar, tani që mbetet më pak se një muaj për votimet e para brenda partive në shtetin Iowa. Vëmendja është përqendruar sidomos në kampin republikan, ku konkurojnë një numër i madh kandidatësh.

Miliarderi i pasurive të patundshme Donald Trump ka dominuar deri tani garën republikane, por ai përballet me sfidën për ta kthyer në vota mbështetjen që gëzon në sondazhe.

"Nëse jeni kuriozë, unë jam njeriu me të cilin Hillari Klinton ka më shumë frikë të ndeshet, më besoni!"

Zoti Trump po e përdor një pjesë të parave të tij për reklama televizive, ndërkohë që afrohet gara në Iowa.

"Ai do t’ia presë shumë shpejt kokën ISIS-it, do t’u marrë atyre naftën dhe do të ndalë imigracionin e paligjshëm, duke ndërtuar një mur në kufirin jugor, për të cilin do të paguajë Meksika."

Senatori i Teksasit Ted Cruz ka dalë si sfiduesi kryesor i zotit Trump dhe zë vend të parë në anketa në Iowa.

"Dallimi më i madh mes meje dhe të tjerëve në këtë debat është se, kur unë ju them se do të bëj diçka, unë do të bëj pikërisht atë që ju kam premtuar”.

Favoriti i dikurshëm, Jeb Bush, është prapa në anketa, por vazhdon të sulmojë zotin Trump dhe mungesën e tij të përvojës.

"Donald Trump nuk është serioz si kandidat. Ai është një politikan i madh dhe mbush boshllëkun. Por ai është një kandidat kaotik dhe do të ishte një president kaotik i Shteteve të Bashkuara," thotë zoti Bush.

Ngritja e kandidatëve Trump, Cruz dhe Ben Carson në anketa, tregon se republikanët i varin shpresat te pretendentët që vijnë nga jashtë politikës, thotë historiani Allan Lichtman.

"Ky nuk është një vit i mirë për partinë republikane, e cila nuk duket se po i ofron alternativa joshëse elektoratit të saj".

Në garën e demokratëve, zonja Hillary Clinton mbetet më e preferuara. Ajo shpesh komenton për zotin Trump:

"Kjo është arsyeja se përse ka rëndësi të mos tërhiqesh përpara atyre që frikësojnë dhe përse nuk duhet të lejojmë askënd ta marrë presidencën me frikësime, sepse kjo nuk është natyra jonë si amerikanë.”

Bashkëshorti i saj, ish-presidenti Bill Clinton, po luan tani një rol më aktiv në fushatë.

"Në jetën time nuk ka pasur kurrë ndonjë kandidat më të përgatitur se sa Hillary për punën që e pret presidentin. Kurrë," thotë zoti Clinton.

Zonja Clinton përballet me një sfidë të fortë në votimet për garat paraprake nga senatori i Vermontit, Bernie Sanders.

"Ju duhet t’ju zemërojë fakti që, pothuajse të gjitha të ardhurat dhe pasuria e krijuar rishtazi shkon tek një për qind e popullatës, fakti që nuk mund të gjeni kujdes të përballueshëm për fëmijët dhe që është e vështirë ta dëgoni fëmijën në shkollë të lartë. Keni të drejtë të zemëroheni," thotë zoti Sanders.

Votimet në Iowa zhvillohen më 1 shkurt, të ndjekura nga primaret në New Hampshire tetë ditë më vonë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG