Lidhje

SHBA, ekspertët të shqetësuar nga gjendja e sigurisë në Soçi


Forcat ruse të sigurisë vazhdojnë të studiojnë videon e fundit të publikuar në internet nga një grup militant islamik që ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet vetëvrasëse të muajit të kaluar në Volgograd dhe ka kërcënuar për sulme në Lojrat Olimpike Dimërore të muajit të ardhshëm në Soçi të Rusisë. Ndërkohë, ekspertët në Shtetet e Bashkuara analizojnë këtë çështje dhe pasojat e saj për atletët amerikanë, sponsorët e tyre dhe qytetarët e tjerë amerikanë që kanë bërë plane për të ndjekur Lojërat Olimpike të muajit të ardhshëm në Soçi.

Videoja u publikua në internet të dielën nga një grup ekstremist nga rajoni i Dagestanit, me shumicë myslimane. Andrew Kuchins, drejtor i Programit të Rusisë dhe Euroazisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se në fillim, ai nuk e mori me seriozitet këtë video.

"Në fillim mendova se kemi të bëjmë me një video jo serioze. Por, kërcënimi terrorist është real pavarësisht nëse videoja dhe njoftimet mbi Ruzanna Ibragimova-n janë të vërteta apo jo. Dhe akti tragjik terrorist që ndodhi para disa javësh në Volgograd është një dëshmi për këtë."

Në video, dy burra rusisht folës paralajmërojnë presidentin Vladimir Putin se i kanë përgatitur atij një "dhuratë" për Lojrat Olimpike Dimërore në Soçi. Zoti Kuchins thotë se ideologjia që i motivon këta njerëz është shumë e ndryshme nga ajo që motivon udhëheqësin islamist çeçen Doku Umarov.

"Unë mendoj se ata janë të motivuar nga një ideologji globale xhihadiste e cila është e ngjashme me atë të Al-Kaidës dhe ekstremistëve të tjerë në botë. Kjo është ajo që i motivoi vëllezërit Tsarnaev të cilët kryen sulmin në maratonën e Bostonit dhe janë nga Dagestani dhe Kaukazi Verior."

Për ish- zëvendës Këshilltarin amerikan të Sigurisë Kombëtare për Luftimin e Terrorizmit, Juan Zarate, një nga shqetësimet më të mëdha është mungesa e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

"Në Lojrat Olimpike në Londër, Shtetet e Bashkuara patën një bashkëpunim të ngushtë me zyrtarët britanikë të sigurisë, ata krijuan qendra të përbashkëta të komandës, plane për regime të shpejta etj. Sipas mendimit tim, kjo nuk po ndodh në Soçi."

Ai thotë se zakonisht për një ngjarje të përmasave olimpike, shumica e vendeve do të pranonin ndihmën në fushën e sigurisë sepse detyra për ruajtjen e sigurisë në një ngjarje të këtij niveli është shumë e madhe dhe e vështirë.

"Mendoj se në Soçi po ndodh e kundërta. Unë besoj se rusët janë më shumë të shqetësuar nga perceptimi i pasigurisë dhe për këtë arsye nuk kanë kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe shërbimeve të tjera të sigurisë."

Jeffrey Mankoff, Zëvendës Drejtor i Programit të Rusisë dhe Euroazisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndëkombëtare, thotë se ndërsa shumica janë të përqendruara në kërcënimin terrorist, ata kanë harruar çështjen e korrupsionit.

"Shërbimet e sigurisë mund të jenë shumë efektive nga pikëpamja operacionale, por nga një pikëpamje më e gjërë efikasiteti i tyre është pika më e dobët. Në shumë raste, për shkak të korrupsionit. Mund të projektohet një system që përqëndrohet në këtë lloj kërcënimi, por pakujdesia e një roje të korruptuar i cili është i gatshëm të mos bëjë punën e tij në këmbim të një ryshfeti mund të shkatërrojë sistemin dhe mund të krijojë kushtet për realizimin e një sulmi të suksesshëm. "

Kjo, shton ai, është një nga faktorët e panjohur kur është fjala për sigurinë në Lojërat Olimpike të Soçit. Presidenti Putin këmbëngul se vendi i tij do të bëjë "gjithçka që duhet" për të garantuar sigurinë gjatë muajit të ardhshëm. Por ai do të duhet të jetë gati edhe për Lojrat Paralimpike që do të zhvillohen në Soçi në muajin mars.
XS
SM
MD
LG